Nis grumbullimi i Kombëtares U-17, Bulku: Uroj shumë që këta talente të shkojnë sa më lart - FSHF

Nis grumbullimi i Kombëtares U-17, Bulku: Uroj shumë që këta talente të shkojnë sa më lart

Ekipi Kombëtar U-17 ka nisur sot grumbullim 4-ditor me 23 lojtarë të përzgjedhur nga trajnerin Ervin Bulku e që përbëjnë pjesën kryesore të grupit që mund të përfaqësojë këtë grup-moshë në kompeticionet zyrtare. Kuqezinjtë zbritën në fushën e Qendrës Kombëtare Sportive në Kamëz pasditen së hënës për të zhvilluar seancën e parë stërvitore. Ndryshe nga seleksionimet e mëparshme stafi teknik kuqezi këtë herë ka mundësi të testojë edhe 10 futbollistë të cilët aktivizohen jashtë vendit e që kanë spikatur në vazhdimësi.

Duke folur për Fshf.org, trajneri Ervin Bulku shprehet se grupi në fjalë do të jetë baza për ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në turneun UEFA Development Tournament U-16 për meshkuj, që do të zhvillohet në Shqipëri nga data 9 prill deri më 14 prill 2022.

“Kemi menduar që grupin kryesor të lojtarëve t’i shohim më nga afër, ndryshe nga herët e tjera do të jemi të grumbulluar për 4 ditë ku kemi mundësi të shohim edhe lojtarët që aktivizohen jashtë vendit. Në fakt, është një grup lojtarësh që ne i kemi monitoruar gjatë gjithë kohësh, prej rreth 1 viti e gjysmë, dhe ky këtu është një pjesë e mirë e grupit që do të përfaqësojë Shqipërinë në turneun e ardhshëm ndërkombëtar për moshën U-16 që do të zhvillohet në vendin tonë”, thotë tekniku kuqezi, duke theksuar se të gjithë elementët që premtojnë do të kenë shansin të tregojnë vlerat e tyre, pavarësisht nëse luajnë në Shqipëri apo në kampionate të huaja.

“Një pjesë e mirë e futbollistëve, sidomos ato që aktivizohen në kampionatin shqiptar kanë qenë nën monitorimin tonë të vazhdueshëm dhe disa prej tyre janë pjesë e grupit. Tashmë kemi afruar edhe lojtarë që janë këtu për herë të parë, kemi edhe futbollistë që vijnë nga jashtë, apo edhe raste si Ersi Bode, i cili ka sapo është transferuar nga kampionati shqiptar te klubi holandez i Ado Den Haag. Pra, nuk ka rëndësi nëse lojtarët aktivizohen në Shqipëri apo jashtë, për ne janë të gjithë të barabartë. Lojtarët që kanë cilësi më të mira, lojtarët që stafet e ekipeve Kombëtare i ndjekim në vazhdimësi për të përzgjedhur më të mirët dhe të krijojmë kështu grupin prej 20 lojtarësh me të cilët do të përfaqësohemi në Evropë si edhe lojtarët që do i kemi për të ardhmen për grup-moshat U-18, U-19 dhe U-21”, – tha Bulku.

Sakaq, trajneri i Kombëtares U-17 thekson se të gjitha stafet e ekipeve Kombëtare të moshve punojnë së bashku për të përzgjedhur sa më shumë elementë të talentuar dhe futbollistë që ofrojnë një perspektivë të mirë.

“Shpresojmë që sa më shumë nga këta elementë të mund të arrijnë edhe në Kombëtaren A në të ardhmen. Kemi shumë shpresë, ne po punojmë të gjithë bashkërisht si një staf i vetëm teknik, që nga trajneri i Kombëtares A, Edy Reja e deri te ekipet rajonale të moshave, nga ku ne i përzgjedhim fillimisht shumicën e lojtarëve e më pas i ndjekim rregullisht paraqitjet e tyre në kampionat. Vitin e kaluar disa nga lojtarët e vitlindjes 2005 kanë firmosur me kontrata me klube të Superiores dhe janë elementë që mund të transferohen jashtë kur të mbushin moshën 18 vjeç. Shpresoj që kjo gjë të ndodhë me të gjitha grup-moshat”,- deklaroi Ervin Bulku.

Ekipi kuqezi, përveç seancave stërvitore do të zhvillojë edhe ndeshje kontrolli dhe miqësore.