Ngjitja në Kategorinë Superiore, Duka vlerëson Apoloninë dhe Kastriotin

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka uruar Apoloninë dhe Kastriotin për rikthimin në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Në një prononcim për “RTSH”-në pas finales së Kategorisë së Parë, kreu i Federatës vlerësoi klubin e Apolonisë, duke e cilësuar si model për gjetjen e balancave mes financave dhe numrit të lartë të futbollistëve që po prodhon.
Presidenti i FSHF-s theksoi se ky edicion nuk mund të quhet normal për shkak të ngjarjeve që pazakonta, në fillim tërmeti tragjik e më pas pandemia Covid-19, ndërsa shprehu keqardhjen që tifozët nuk mund të kthehen në stadiume për shkak të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit.

– Sa i kënaqur nga finalja Kastrioti-Apolonia në pjesën futbollistike?

– Do të isha më i kënaqur nëse ky stadium do të ishte plot me tifozë, por po jetojmë në një kohë të pazakontë. Gjithsesi, jemi të gëzuar që u rikthyem të luajmë futboll, por pa tifozët në stadium futbolli nuk është i bukur aq sa duhet të jetë.
Kjo finale ishte thjesht, mund të themi honorifike, simbolike për të caktuar ekipin kampion të Kategorisë së Parë. Unë i uroj të dyja skuadrat, Kastriotin e Krujës dhe Apoloninë e Fierit për kampionatin që kanë bërë dhe që vitin tjetër do të jenë pjesë e Kategorisë Superiore. Patjetër që kanë bërë një kampionat akoma më të vështirë se të tjerët për vetë specifikat e veta, ndërprerja apo rikthimi.
Gjithsesi edhe ndeshja ishte e bukur dhe mua më pëlqeu. Shpresoj dhe uroj që t’u ketë pëlqyer edhe mbështetësve të të dyja skuadrave nga ekranet e televizorëve. Ky është fundi i këtij edicioni për këto dy skuadra dhe për Kategorinë e Parë. Edicioni i ri do të nisë shpejt dhe këto skuadra duhet të përgatiten shumë mirë sepse në Kategorinë Superiore i pret një garë akoma më e fortë, me një nivel relativisht më të lartë dhe që do të duhet ta përballojnë. Unë uroj që të dyja skuadrat, meqë vitet e fundit kanë hyrë dhe kanë dalë shpesh në Kategorinë Superiore, të vijnë ndryshe, me një përformancë më të mirë dhe të dhurojnë spektakël. Pse jo, të qëndrojnë më gjatë në Kategorinë Superiore.

– Çfarë skuadrash i vijnë Kategorisë Superiore? Pra, Kastrioti dhe Apolonia në këndvështrimin e Presidentit Duka. Shpesh Apoloninë e keni përmendur si një model suksesi gjatë intervistave tuaja.

– Nuk besoj se e them unë, por është e vërtetë që Apolonia është një nga klubet më të mirëorganizuara në Shqipëri, që bën futboll në të gjitha nivelet e moshave me mundësitë e veta, me akademinë e vet, me financat që prodhon vetë klubi dhe kjo është e rëndësishme. Nuk është një gropë e zezë as për Bashkinë e Fierit, as për presidentin Kokëdhima, por për meritë të presidentit vetë klubi ka arritur të gjenerojë të ardhura për të riprodhuar futboll dhe për të patur jo vetëm ekipe cilësore, pra ekipin e parë që vjen në Kategorinë Superiore, apo ekipet e tjera që kanë arritur në finalet e kampionateve të moshave, por edhe sasior. Akademia e Fierit ka një numër relativisht më të lartë se pothuajse të gjitha akademitë e tjera të Shqipërisë, kështu që duke u nisur nga të gjitha këto mendoj që ky është një model i mirë, të cilin ne duhet ta shpërndajmë dhe ta kemi shembull në të gjithë Shqipërinë. Futbolli duhet të jetë i të gjithëve, duhet të jetë për fëmijët, duhet të jetë i bukur dhe të mos jetë dhimbje koke financiare, por të prodhojë vetë financa. Fieri, pak a shumë këto balanca i ka gjetur dhe pikërisht për këtë meriton përgëzime, ashtu si edhe për ngjitjen në Kategorinë Superiore apo edhe me skuadrën U-19 kampion.

– Si numri një i Federatës së Futbollit, a jeni i kënaqur me këtë sezon të futbollit në tërësi, duke llogaritur edhe vështirësitë që kaluam?

– Unë besoj se askush nuk është i kënaqur nga ky vit. Ne kemi kaluar gjatë këtij edicioni futbollistik 2019-2020 ngjarje shumë të pazakonta e të vështira, që kanë ndikuar në jetët tona dhe kanë ndikuar edhe në futboll. Kanë ndikuar në gjendjen tonë emocionale, të futbollistëve, trajnerëve dhe të gjithëve. Kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë, një fatkeqësi natyrore në nëntor me tërmetin, më pas me pandeminë, por gjithsesi ajo që më jep më shumë kurajo apo frymëzim është fakti që të gjithë bashkë ne ia kemi dalë dhe po përfundojmë garën dhe po përgatitemi për të vazhduar. Ka qenë një edicion i vështirë në të gjitha këndvështrimet për arsye që nuk varen nga ne, pra fatkeqësia natyrore dhe tashmë pandemia Covid-19 në gjithë globin. Kësisoj, nuk mund ta konsiderosh një edicion normal.