Nations League/ Shqipëria mundet 0-1 nga Gjeorgjia - FSHF

Nations League/ Shqipëria mundet 0-1 nga Gjeorgjia

Shqipëria zhvilloi mbrëmjen e sotme ndeshjen e dytë në Grupin B1 të UEFA Nations League ndaj Gjeorgjsë, sfidë që u mbyll me fitoren e miqve me rezultatin minimal 0-1.

Në stadiumin “Air Albania” u zhvillua një ndeshje shumë e luftuar, ndërsa atmosfera e krijuar nga tifozët shqiptar që kishin mbushur plot stadiumin ishte spektakolare

Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Gjeorgjisë: Thomas Strakosha (GK), Elseid Hysaj (C), Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Arbër Hoxha dhe Rey Manaj.

Minutat e para të takimit ishin të kujdesshme, me ekipet që nuk u nxituan, ndonëse patën disa ngacmime në portat respektive.

Në minutën e tretë Rey Manaj provoi pas një topi të marrë nga Hysaj, por mbrojtja gjeorgjane largoi mirë. Në të 12-ën ishte radha e Hoxhës, i cili pasi kaloi disa kundërshtarë provoi nga distanca, por topi shkoi larg kuadratit.

Mikautadze dhe Kvaratskhelia ishin rrezik konstant për portën kuqezi, por prapavija ishte e vendosur mirë, duke shmangur rrezikun. Në vijim, Asani dhe Hoxha provuan nga distanca, por nuk pati rezultat. Pjesa e parë u mbyll me porta të praprekura.

Edhe fraksioni i dytë nisi me të njëjtin ritëm, teksa pas disa minutash Shqipëria kreu zëvendësimin e parë. Hoxha doli nga loja dhe u aktivizua Qazim Laçi.

Shqipëria pati një mundësi të mirë shënimi në minutën e 63-të, por goditja e Bajramit përfundoi jashtë. Gjeorgjia zhbllokoi rezultatin në minutën e 71-të me Giorgi Kochorashvili.

Trajneri Silvinjo kreu dy zëvendësimet e radhës. Manaj e Asani dolën nga loja dhe u aktivizuan Seferi e Spahiu. Në minutën e 82-të u fut në fushë edhe Myrto Uzuni.

Kuqezinjtë u munduan deri në fund për të barazuar rezultatin, por pa sukses. Në fund takimi u mbyll me fitoren e Gjeorgjisë 0-1.

Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e radhës në UEFA Nations League në muajin tetor, ndaj Çekisë (11 tetor) dhe Gjeorgjisë (14 tetor) në transfertë.