Nations League / Kombëtarja shqiptare triumfon, mposht 3-1 Kazakistanin - FSHF

Nations League / Kombëtarja shqiptare triumfon, mposht 3-1 Kazakistanin

Kombëtarja shqiptare ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Kazakistanit ndeshjen e vlefshme për Nations League të luajtur sot në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me një formacion ofensiv me trajnerin Reja që hodhi në fushë këtë formacion: Berisha, Veseli, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj, Abrashi, Memushaj, Kallaku, Uzuni, Manaj, Cikalleshi.

Kuqezinjtë morën kontrollin e lojës pas disa minutash dhe arritën të godasin portën e kazakëve. Në minutën e 9-të. Pas krosimit të Hysajt nga e djathta, Manaj godet bukur me kokë, por reagon mirë, portieri i Kazakistanit, që e dërgon grushton në këndore.

Në minutën e 16-të do të zhbllokohet rezultati teksa Sokol Cikalleshi kalon në avantazh Shqipërinë. Krosim nga e djathta e Memushajt dhe sulmuesi kavajas është i saktë me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë. Një kuriozitet i veçantë: ky ishte edhe goli i parë i Shqipërisë në stadiumin e ri “Air Albania”.
Kuqezinjtë marrin zemër nga goli dhe vazhdojnë të ushtrojnë presion. Në minutën e 23-të Ismajli arrin të dërgojë topin në rrjetë, duke përfituar nga një grushtim i gabuar i portieri mik, i cili nuk arrin të largojë rrezikun. Mbrojtësi nuk fal brenda zonës dhe shënon me të djathtën.

Por vetëm pak sekonda më pas, menjëherë Kazakistani gjen golin, pasi miqtë realizojnë nga mesi i fushës me anët të Abiken! Futbollisti kazak godet saktë që nga mesi fushës, duke befasuar portierin Berisha e duke ngushtuar shifrat në 2-1.

Më pas përfaqësuesja kuqezi ka edhe dy raste të pastra për shënim me Uzunin, por sulmuesi shqiptar është i pafat para portës. Në pjesën e dytë, Shqipëria vazhdon të ushtrojë presion në kërkim të golit të sigurisë. Trajneri Reja në minutën e 53-të kryen zëvendësimin e parë duke zëvendësuar Kallakun me Gjasulën.
Në minutën e 61-të, Amir Abrashi arrin të fitojë një 11-metërsh. Mesfushori bën presion vazhdimisht dhe arrin të zotërojë topin në zonë, ku pëson një faull nga kazakët. Nga e pika e bardhë godet Manaj, i cili tregohet i saktë dhe fikson rezultatin në shifrat 3-1. Tekniku Reja bën disa zëvendësime duke zëvendësuar fillimisht Uzunin me Dokën dhe më pas në minutat e fundit zëvendëson Manajn, Cikalleshin dhe Memushajn me Balajn, Seferin dhe Selahin.
Në minutat e fundit kemi edhe një rast tjetër me Hysajn, por portieri kazak i mohon golin. Mbyllet me fitoren 3-1 të Shqipërisë që ngjitet në kuotën e 8 pikëve, në vendin e dytë, vetëm 3 pikë larg kreut që mbahet nga Bjellorusia me 10 pikë. Kuqezinjve do t’u duhet një fitore ndaj bjellorusëve të mërkurën për të marrë kreun e grupit ë Ligën C të Nations League.

SHQIPËRI – KAZAKISTAN 3-1
Golat: Cikalleshi 16′, Ismajli 23′, Manaj 62′ (p) / Abiken 24′