Nations League/ Kombëtarja fiton ndaj Bjellorusisë, kap kreun dhe ngjitet në Ligën B - FSHF

Nations League/ Kombëtarja fiton ndaj Bjellorusisë, kap kreun dhe ngjitet në Ligën B

Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja ka fituar ndeshjen “finale” për vendin e parë në grupin 4 të ligës C, ndaj Bjellorusisë me rezultatin 3-2.

Pjesa e parë u dominua nga kuqezinjtë duke shënuar tre herë, falë një dopiete nga ana e Cikalleshit, i cili realizoi në minutën e 20-të pas një harkimi nga ana e Memollës, ku sulmuesi kavajas shënon saktë me kokë dhe në minutën e 27 realizon saktë nga pika e bardhë. Më pas ngushtojnë rezultatin bjellorusët tetë minuta më vonë me anë të Skavysh. Në minutën e 44-t kuqezinjtë kanë thelluar sërish rezultatin me anë të Rei Manaj. Lushnjari ka shënuar një super gol me potencë, duke dërguar skuadrën kombëtare ne dhomat e zhveshjes me rezultain e pjesës së parë 3-1.

Në fraksionin e dytë të lojës përfaqësuesja jonë ka vijuar të dominojë ndeshjen me disa raste të rrezikshme në portën kundërshtare por pa sukses për të gjetur sërish rrjetën bjelloruse. Në minutën e 80-të, skuadra e Bjellorusisë ka ngushtuar sërisht rezultatin në 3-2 me anë të Ebong. Me këtë rezultat mbyllet krejt takimi i zhvilluar në stadiumin “Air Albania” i vlefshëm për UEFA Nations League.

Me këtë “finale”, ndeshjen e fundit në grup Shqipëria e mbyll kompeticionin si fituese e grupit 4 të Ligës C, duke fituar të drejtën që të kalojë një ligë më sipër, në Ligën B.

Formacioni:
SHQIPËRIA: (3-5-2) Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Veseli, Doka, Memolla, Memushaj, Gjasula, Laçi, Cikalleshi, Manaj. Trajner: E. Reja

BJELLORUSIA: (4-4-2) Katekeviç, Juzesçuk, Poliakov, Saçivko, Bordaçev, Ebog, Maevski, Jablonski, Sataseviç, Lisakoviç, Skavish. Trajner: M. Markhel.

Renditja:
Shqipëria 11 pikë
Bjellorusia 10 pikë
Lituania 8 pikë
Kazakistani 4 pikë