Muaji i shenjtë i Ramazanit, FSHF shtron iftar për futbollistë, drejtues të klubeve të “Abissnet Superiore” e gazetarë - FSHF

Muaji i shenjtë i Ramazanit, FSHF shtron iftar për futbollistë, drejtues të klubeve të “Abissnet Superiore” e gazetarë

Me rastin e muajit të Shenjtë të Ramazanit, Federata Shqiptare e Futbollit shtroi një darkë iftari për futbollistë, drejtues të klubeve të “Abissnet Superiore” si edhe përfaqësues të mediave, të cilët kanë agjëruar gjatë këtij muaji.

Iftari u organizua nën kujdesin e veçantë të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili në një fjalë të shkurtër përshëndetëse para të pranishmëve theksoi se muaji i shenjtë i Ramazanit është i rëndësishëm pasi i bashkon njerëzit edhe më shumë, i bën solidarë, bashkëpunues e falës. Në fund, Presidenti Duka uroi të gjithë besimtarët myslimanë Gëzuar Festën e Fiter Bajramit.

“Nga zemra dua t’ju falënderoj të gjithëve që keni pranuar ftesën e Federatës së Futbollit: vajzat dhe djemtë futbollistë, drejtuesit e klubeve, gazetarë, në këtë iftar, darkë simbolike fetare, por që na bashkon të gjithëve. Dua të falënderoj Taulantin, i cili është sonte i ftuar në këtë darkë si mik dhe mbështetës i përhershëm i futbollit. Falënderoj imamin Ahmed Kalaja, i cili është i pranishëm në pothuajse të gjitha festat fetare në Shqipëri, ndërsa në ato që bën komuniteti i futbollit, i padiskutueshëm.

Ky është muaji ku njerëzit duhet që të bashkohen akoma edhe më shumë, të jenë më bashkëpunues dhe solidarë, muaji i faljes. Jam krenar që jam pjesë e shoqërisë shqiptare, sepse jemi një shoqëri e emancipuar që respektojmë çdo fe shumë sesa çdo komb tjetër. Në komunitetin e futbollit nuk kemi asnjë dallim fetar. Dua t’ju falënderoj edhe njëherë. Sot është dita e fundit e agjërimit dhe ju uroj agjërim të pranuar dhe Gëzuar Festën e Bajramit! Suksese dhe shëndet në periudhën në vazhdim! – tha kreu i FSHF-së në fjalën e tij.

Zoti ia pranoftë dhe shpërbleftë agjerimin të gjithë besimtarëve!