Trajneri i ekipit Kombëtar U-21, Alban Bushi ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar në prag të ndeshjes miqësore që Shpresat do të zhvillojnë kundër Sllovenisë.
Në konferencën për mediat, trajneri Bushi në përgjigjet e tij kundrejt gazetarëve, tregoi vështirësitë e hasura me klubet për moslejimin e lojtarëve për ndeshjet e kombëtares si dhe objektivat e ekipit. Ekipi kombëtar U-21 do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore kundër Sllovenisë, në datën 8 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”.
– Te lista vihen re disa emra të rinj, shkak kjo po themi edhe e grumbullimeve që kanë ardhur nga Edoardo Reja sa i përket ndeshjes së kombëtares, por njëkohësisht ju si ju bën të ndihet fakti që shumë lojtarë të U-21 tashmë po kalojnë tek ekipi i parë, sepse deri diku edhe ky është edhe synimi kryesor i skuadrës Shpresa?
– Jemi në një situatë jo normale, sepse pothuajse këtë grumbullim çdo ditë kemi ndërruar 3-4 në listë, jo vetëm prej pandemisë por edhe prej mos lëjimit të lojtarëve nga klubet sepse gjithmonë klubet tentojnë që t’i mbajnë lojtarët pavarësisht se nuk kanë të drejtë. Mendoj se kemi marrë lojtarë shumë të rinj. Disa klube përfitojnë nga njoftimi i FIFA-s dhe tentojnë që mos t’i lënë lojtarët, por në momentin që ne i kemi bërë për së dyti herë, jemi drejtuar në studio ligjore, pastaj ato i kanë sjellë.
Kemi qenë në një situatë jo normale. Jemi munduar të marrim shumë lojtarë të rinj, të cilët do t’i kemi edhe për sezonin tjetër. Nuk e dimë se si do të reagojmë këtë ndeshje sepse kampionati shqiptar na ka prishur shumë punë ngaqë nuk kanë luajtur thuajse asnjë ndeshje dhe nuk e dimë se çfarë forme do të kenë lojtarët. Kjo është diçka jo normale por shpresoj që në këto ditë stërvitore do të marrim lojtarët më të mirë, do të bëjmë zgjedhjet tona më të mira, do të marrim ata që kanë më shumë formë për të përballuar këto ndeshje.
– Çfarë pret nga ndeshja e Kosovës me Austrinë, duke qenë se kemi edhe objektiva për renditjen? Në mediat holandeze, vetë klubi i Zwolle-s ka njoftuar se Bajselmani ka marrë një ftesë nga Shpresat. A është edhe ky rasti që klubi e ka penguar lojtarin sepse nuk e shoh në listë?
– Bajselmani ka zgjedhur Kosovën, nuk do të jetë pjesë e jona. Ne i bëmë kërkesë, por ai zgjodhi Kosovën dhe do të jetë pjesë e Kosovës. Kurse sa i përket ndeshjes së Kosovës me Austrinë, ne duhet të përqendrohemi te ndeshjet tona, nuk më intereson se çfarë do të ndodhë tek ajo ndeshje. E kemi mendjen vetëm te Sllovenia, të përgatisim ndeshjen me Slloveninë mirë sepse është një ekip shumë i fortë, një ekip që do të jetë organizator për eliminatoret e Europianit dhe çdo ndeshje stërvitore, pavarësisht miqësore ata e marrin shumë seriozisht. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë ndeshje.
– Për çfarë do të shërbejë kryesisht kjo ndeshje, përveç faktit që është një ndeshje miqësore?
– Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Ne nuk është se i shohim shumë, miqësore apo kualifikuese. Ne jemi Shqipëria, jemi ekip modest. Çdo ndeshje futemi për të fituar, futemi me strategjinë tonë se si do të luajmë. Strategjia jonë është të mbrojmë dhe sulmojmë mirë. Tani kemi lojtarë shumë të rinj në ekip, do mundohemi që të ingranohen sa më shpejt me ekipin edhe të bëjmë më të mirën. Këto ndeshje ne na ndihmojnë, sepse jemi 4-5 ditë në grumbullim. Bëjmë video, bëjmë analiza, flasim për ndeshjet që kemi bërë, për ndeshjet që do të vijnë. Pak a shumë lojtarët kuptojnë strategjinë e stafit se çfarë kërkohet nga ne, që ata ta zbatojnë më mirë. Janë një plus i madh ndeshjet miqësore për të kuptuar lojtarët, për të kuptuar lojtarët strategjinë që ne kemi për ndeshjet.
– Nga kjo listë dhe nga kjo ndeshje me Slloveninë, nga këtu do të dalë baza për ndeshjen me Kosovën?
– Po të shikosh listën e ekipit U-21, janë 10 lojtarë nga grumbullimi i kaluar që nuk i kemi më. Pra çdo herë është kështu, por gjithsesi, kur mendoj që ekipi kombëtar po furnizohet mirë dhe do të kemi një ekip të fortë në të ardhmen atëherë ne ndihemi optimist për të ardhmen e Shqipërisë, por është pak e vështirë puna jonë sepse nuk është e lehtë që çdo herë të kesh 10 lojtarë të rinj në ekip, për 3-4 ditë ata të mësojnë se çfarë duam ne që t’i japim atyre. Por gjithsesi do të japim më të mirën, do të bëjmë më të mirën siç kemi bërë gjithmonë.
– Realisht e mendoni vendin e dytë në grup?
– Që kur kam ardhur në ekipin e U-21 kam menduar gjithmonë për kualifikimin dhe sezonin që ka kaluar pavarësisht se ne dolëm në atë vend që dolëm, kemi qenë shumë afër. I kemi marrë ndeshjet një nga një, e kemi dominuar kundërshtarin, përveç Spanjës, kurse me kundërshtarët e tjerë kemi luajtur mirë dhe kemi qenë shumë afër 3-pikëshave, pavarësisht se nuk kemi bërë shumë fitore. Prandaj them që futbolli është një proces i gjatë dhe nëse nuk kemi bërë mirë sezonin tjetër sa i përket pikëve, shpresoj ta bëjmë këtë edicion por gjithsesi mendoj që në një periudhë shumë të afërt Shqipëria U-21 do të kualifikohet në europian. Pse jo dhe që tani, ne kemi 11 pikë, janë edhe 6 pikë në lojë. Në qoftë se i marrim shkojmë 17 dhe presim çfarë do të bëjë Austria.
– Fitorja me Austrinë ishte një surprizë shumë e bukur. A i ka mundësitë kombëtarja U-21 që në të ardhmen të na japë të tjera rezultate kaq befasuese, pavarësisht se ju në të ardhmen thoni se do të ketë lojtarë shumë të mirë që do të afrohen?
– Rezultati në Austri ishte shumë i mirë dhe na pëlqeu të gjithëve por duhet të kemi një fakt parasysh, ju si gazetarë sportivë, si analistë. Nëse ne fitojmë me Austrinë dhe ekipi U-21 nuk ka 7 lojtarë nga ata që kishte në Austri, duhet të mendohet se çfarë do të bëhet në ndeshjen tjetër. Nuk është se ekipit U-21 i ikin 7 lojtarë lart dhe vijnë disa të tjerë që në fakt nuk kanë qenë pjesë e ekipit dhe duhet të fitosh prapë me Austrinë. Ekipi U-21 unë mendoj se i shërben më shumë ekipit A, por ne do të jemi shumë afër kualifikimit gjithsesi me këta lojtarë që kemi sepse janë të mirë. Është një periudhë shumë e gjatë që Federata e Futbollit ka punuar te moshat dhe ne trajnerët e kemi pak më të lehtë sepse na vijnë pothuajse gati lojtarët nga U-17, U-19, U-21. Pra unë kur them do të kualifikohemi, e kam kokën pas se çfarë ka tek U-19, por nuk mund të themi për këta lojtarë që kishim në Austri, që t;i kishim dhe ata tani. Po të kishim Kumbullën dhe Brojën, Selahin, Mihaj, që janë tek ekipi i parë, por e kanë moshën tek U-21, ky ekip do të ishte pa diskutim i kualifikuar, jo në Europian, por mbase edhe në turne të tjerë.
– Pra, objektivi parësor është dërgimi i lojtarëve në kombëtaren A?
– Kjo është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar nga çdokush, nga çdo sportdashës, analist, pasi çdo herë që ekipi A të merr nga 5-6 lojtarë, atëherë objektivi është për ekipin e parë. Pastaj ne do të bëjmë punën tonë për të fituar çdo ndeshje.


















