Miqësore e U-21 / Shqipëria mundet nga Franca

Shqipëria U-21, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, ka zhvilluar ditën e sotme një ndeshje miqësore me Francën, ndeshje që është luajtur në Amiens, në Stade de la Licorne.

Kuqezinjtë kanë zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, duke u vendosur shumë mirë në fushën e lojës dhe duke dalë me një lojë të rrjedhshme nga mbrojtja në sulm. Francezët kanë arritur të kalojnë në avantazh në pjesën e parë falë një penalltie të fituar nga Dibay, e cila u shndërrua në gol nga Gouiri në minutën e 44-të. Me këtë gol të shënuar një minutë para fundit mbyllet dhe fraksioni parë. Pjesa e dytë ka nisur me tre zëvëndësime, duke dalë Ademi për Xhixhën, Vrioni për Brojan dhe Mala për Zejnullain. Loja ka një dominim të lehtë nga francezët, të cilët kanë kualitete të mëdha në skuadër. Trajneri Bushi fillon ti japë hapësirë lojtarëve të tjerë për ti parë në prag të ndeshjes së 9 Shtatorit me Austrinë. Aktivizohet Pëllumbi për Ndreçkën, Imeri për Muçollin, Shehu për Lleshin dhe Kolaj për Bullarin. Kuqezinjtë janë të pafat dhe në minutën e 78-të ndëshkohet nga një episod duke pësuar golin e dytë. Skuadra tenton të dalë përpara dhe pëson nga një kundërsulm i shpejtë në minutën e 89-të golin e tretë që u shënua nga Eduard. Në minutat shtesë pësohet dhe goli i katërt nga një goditje këndi, me Zagadu që gjen rrugën e rrjetës.

Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Selmani; Maloku; Bajrami; Mesinaj; Ndreçka; Mala, Shehu, Muçolli, Kolaj, Ademi, Vrioni.