Mentori i UEFA Grassroots viziton FSHF: “Futbolli në shkolla është çelësi suksesit” (VIDEO)

Piet Hubbert, një nga mentorët e UEFA Grassroots, vizitoi Federatën Shqiptare të Futbollit ku pati takime me Sektorin e Futbollit Amator, Sektorin e Edukimit, Sektorin e Futbollit të Femrave dhe Zyrën e Projektit Grow. Në këtë vizitë Hubbert u njoh nga afër me situatën e futbollit amator, futbollit të femrave dhe punën që zhvillon sektori edukimit për licensimin dhe kualifikimin e trajnerëve dhe mësuesëve të edukimit fizik. Pjesë e vizitës së mentorit të UEFA Grassroots isha dhe ndjekja nga afër e orës së edukimit fizik në dy shkolla 9 vjeçare të Qarkut të Tiranës ku po implementohet projekti Grow, që ka të bëj me shtrirjen e futbollit në shkolla për moshat U-7 dhe U-9, djem dhe vajza. Në shkollën “Niket Dardani” u zhvillua dhe trajnimi teorik dhe praktik me mësuesit e edukimit fizik për përmirësimin e mënyrës së stërvitshmërisë së fëmijëve.

Në fund të vizitës së tij në Shqipëri, Hubbert foli dhe mikrofonat e FSHF.TV, në të cilën u ndal te nevoja për rritjen e numrit të lojtarëve meshkuj e femra që regjistrohen në sistem, mbajtjen e tyre dhe trajnimin e mirë nëpërmjet trajnerëve të kualifikuar. “Janë pesë tema në programin e Grassroots të UEFA-s, që në opinionin tonë janë mjaft të rëndësishme për zhvillimin dhe përmirësimin e futbollit amator në të gjitha federatat në Europë. G ështe për Grow (rritje), dhe kjo për rritjen e numrit të lojtarëve të regjistruar. R është për Retention, mbajtjen e lojtarëve që regjishtrohen në futboll. Kjo është e rëndësishme sepse sa më shumë ky numër rritet dhe sa më shumë kohë lojtarët shpenzojnë për të luajtur, aq më shumë rritet niveli i futbollit profesional në vend. E është për Edukimin, dhe për ne është mjaft e rëndësishme që trajnerët të jenë të edukuar mirë dhe të kualifikuar, jo vetëm trajnerët e skuadrave elitare por edhe trajnerët e futbollit amator. A është për Always Fair Play, sepse ne duhet të organizojmë programe të shumta Fair – Play për grupe të ndryshme demografike, sidomos grupe si emigrantët apo futbolli i femrave, që së fundmi po merr shumë vëmëndje nga UEFA. T qëndron për Terms, që janë kushtet dhe rregullat që duhen plotësuar për zhvillimin e futbollit amator, si për shembull prezenca e një menaxheri apo komiteti ekskluziv për programin grassroots.

Ekzistojnë tre nivele anëtarësh të programit grassroots, të bronztë, të argjendtë dhe të artë. Shqipëria momentalisht është anëtare e bronztë e programit, dhe për këtë arsye mund të përmirësoheni akoma më shumë dhe prandaj unë jam këtu. Mund të keni përmirësime të mëdha përsa i përket rritjes dhe mbajtjes së numrit të lojtarëve, por gjithashtu edhe për edukimin dhe kushtet. Këto ditë vizituam disa shkolla ku zhvilluam trajnime teorike dhe praktike për të gjithë mësuesit që janë të përfshirë në këtë program dhe mendoj se bashkëpunimi i shkollave do të ndihmojë në rritjen dhe mbajtjen e numrit të pjesëmarrësve. Mendoj se kjo është diçka në të cilën duhet të fokusohemi, të zhvillosh është një gjë por të implementosh është tjetër. Në opinionin tonë është e rëndësishme të zhvillojmë klubet që ata të jenë gati të ftojnë vajza dhe djem që duan të jenë pjesë e programit grassroots. Nëse klubet nuk kanë organizimin e duhur apo trajnerë të kualifikuar, probabiliteti për sukses nuk është i madh. Duhet të shtyjmë klubet që të ftojnë lojtarë nga shkollat dhe ti regjistrojnë ata në Federatën Shqiptare të Futbollit”.

 

Në fund Hubbert u ndal të flasë edhe për Kombëtaren shqiptare dhe rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria për tu rritur në futboll. “Nëse gjykojmë nga performanca e viteve të fundit, skuadra kombëtare e Shqipërise ka treguar një formë shumë të mirë, ata u kualifikuan gjithashtu për fazën finale të Europianit. Tani është e rëndësishme të ndërtoni një bazë të fortë futbolli grassroots që një ditë disa prej këtyre lojtarëve të kalojnë në nivele elitare dhe të bëhen futbollistë profesionistë, dhe të jenë kandidatë për skuadrën kombëtare. Çdo federatë duhet të kuptojë që programi grassroots është ai që siguron kualitetin e futbollit profesional në vend.  Jam shumë i lumtur që jo vetëm UEFA, por dhe FSHF, janë të gatshëm të investojnë në programin grassroots”.