Mbyllet UEFA Development Tournament, triumfon Kosova - FSHF

Mbyllet UEFA Development Tournament, triumfon Kosova

Sot janë zhvilluar ndeshjet e ditës së tretë dhe të fundit të turneut UEFA Development, turne të cilin UEFA ja kishte besuar Federatës Shqiptare të Futbollit për ta organizuar. Ky turne me pjesëmarrjen e Shqipërisë si vend organizator, Kosovës, Estonisë dhe Taxhikistanit u zhvillua në Qendrën Sportive Kamëz.

Ndeshja e parë e ditës së sotme ishte ajo ndërmjet Taxhikistanit dhe Estonisë, ndeshje e luftuar dhe me shumë gola. Aziatikët triumfuan me rezultatin 4-3. Pjesa e parë ka dhuruar 6 gola dhe përmbysje spektakolare deri në barazimin 3-3. Estonia shënoi në minutën e 2-të me anë të Kablik, por reagimi Taxhikistanit ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 6-të rezultati u barazua në 1-1 nga Mekhrubon. Në minutën e 23-të aziatikët kalojnë për herë të parë në avantazh me anë të numrit 10 Abubkr. Në minutën e 30 estonezët barazojnë me anë të Bazkov dhe në të 36-tën shënojnë golin e 2-3 me të njëjtin autor. Taxhikistani reagon dhe shënon në minutën e 38-të, 2 minuta përpara fundit të pjesës së parë golin e barazimit 3-3, me anë të Abubkr. Fraksioni i dytë i lojës nis me dy skuadrat që janë më të kujdeshme dhe kërkojnë të befasojnë kundërshtarin, gjë të cilën e arrijnë me sukses aziatikët të cilët shënojnë golin e fitores në minutën e 72-të me Mansurdzhon. Përfundon gjithçka me festën e Taxhikistanit që siguron pikët e para pas dy humbjeve të para me Kosovën dhe Shqipërinë.

Taxhikistan: Sunatullo, Ramzidin, Bilol, Mekhrubon, Abubkr, Mansurdzhon, Surush, Azizjon, Mukhammad, Amirkhon, Komron.

Estoni: Pareiko; Kablik, Kolobov, Ehin, Kond, Raaper, Soo, Cekredzi, Bazkov, Jepihhin, Korjus.

Ndeshja e dytë ishte ajo ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë ndeshje luhej për vendin e parë, me skuadrën e Armand Damos që duhej të fitonte për të siguruar vendin e parë, ndërkohë që Dardanët luanin për dy rezultate. Loja fillon me të dy skuadrat që janë të kujdeshme dhe synojnë të përfitojnë nga gabimet e kundërshtarëve. Kuqezinjtë e vegjël përtej një epërsie të vogël nuk arrijnë të ndryshojnë rezultatin dhe mbyllet 0 me 0. Pjesa e dytë fillon me një Shqipëri më këmbëngulëse dhe një Kosovë që kërkon të menaxhojë rezultatin. Në minutën e 54-të, Krasniqi shënon për Kosovën duke përfituar nga një shpërqendrrim në mbrojtje. Rezultati nuk ndryshon deri në fund dhe përfundon 1-0 me Dardanët që janë dhe fituesit e turneut.

Shqipëri: Kiri, Gjergji, Kosnallari, Çela, Shtraza, Hysa, Vishaj, Tresa, Syla, Xhixha, Salo.

Kosovë: Xhoka, Halimi, Rudari, Bllaca, Avdullahu, Zeka, Jashari, Krasniqi, Shahini, Hashani, Ramushi.