Departamenti i Edukimit në Federatën e Futbollit përmbylli me sukses edicionin e radhës të kursit për trajnerët e licencës UEFA B në zonën e Tiranës, duke diplomuar 29 trajnerë të rinj, mes tyre edhe pesë vajza.
Ceremonia e diplomimit u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit”, në praninë e Drejtorit Teknik të FSHF-së, Abdyl Kuriu, si dhe përfaqësuesve të Departamentit të Edukimit, Drejtori Ardi Behari dhe Alban Tafaj, të cilët organizuan dhe drejtuan të gjithë procesin e formimit profesional të pjesëmarrësve.
Programi i licencës UEFA B u zhvillua përgjatë katër muajve, i ndarë në disa module teorike dhe praktike. Leksionet u mbajtën në “Shtëpinë e Futbollit” dhe në Shkollën e Edukimit në Kamëz, nën drejtimin e specialistëve të Departamentit të Edukimit në FSHF, me synimin për të përgatitur trajnerë të kualifikuar sipas standardeve të UEFA-s dhe për të kontribuar në zhvillimin e futbollit shqiptar. 

















