Elite Youth Development Academy mbyll vitin e dytë, trajneri Armand Dama: Performanca e lojtarëve tregon rritje të dukshme - FSHF

Elite Youth Development Academy mbyll vitin e dytë, trajneri Armand Dama: Performanca e lojtarëve tregon rritje të dukshme

Projekti i Federatës së Futbollit “Elite Youth Development Academy” ka mbyllur me sukses vitin e tij të dytë, duke shënuar progres të rëndësishëm në zhvillimin e futbollistëve të rinj. Trajneri Armand Dama, i cili ka punuar me të tre grupet e lojtarëve të rinj, vlerëson se puna e zhvilluar gjatë sezonit ka dhënë rezultatet e para konkrete, si në aspektin individual të lojtarëve, ashtu edhe në paraqitjet e skuadrave në ndeshjet ndërkombëtare miqësore.

Në një prononcim për FSHF.org, Dama bëri një bilanc të sezonit të kaluar dhe foli edhe për risitë që do të sjellë viti i tretë i projektit.

“Kemi pasur tre grupe, datëlindjet 2012, 2011 dhe 2010. Sezonin e kemi zhvilluar në Durrës, ku lojtarët kanë qenë të grumbulluar. Ata kanë jetuar, janë shkolluar dhe kanë zhvilluar stërvitjet gjatë javës. Kemi punuar katër herë në javë, nga e hëna deri të enjten, dhe mendoj se procesi stërvitor ka qenë shumë i mirë. Këtë e tregon edhe vetë ecuria e lojtarëve.

Në çdo seancë kemi punuar nga dy orë, në koordinim me përgatitësit atletikë dhe trajnerët teknikë. Është zhvilluar një punë e mirë në të gjitha drejtimet dhe, në përgjithësi, mendoj se ka qenë një vit pozitiv për projektin.

Edhe në ndeshjet miqësore që zhvilluam së fundmi u panë rezultatet e punës. Grupi i datëlindjes 2010 zhvilloi dy ndeshje me Bullgarinë, duke fituar një dhe humbur një tjetër. Datëlindja 2011 luajti dy ndeshje me Maqedoninë e Veriut dhe i fitoi të dyja, ndërsa grupi i datëlindjes 2012 arriti një fitore dhe një barazim. Megjithatë, nuk është thjesht çështje rezultatesh. Mbi të gjitha, mënyra se si kanë luajtur dhe performanca që kanë treguar në fushë dëshmojnë se të gjitha grupet kanë bërë progres.

Këtë vit do të kemi vetëm dy grupe dhe jo më tre. Në bashkëpunim me klubet, lojtarët do të aktivizohen në kampionate me një grupmoshë më të madhe. Mendoj se kjo do të jetë shumë pozitive, sepse ata do të stërviten bashkë dhe më pas do të luajnë së bashku, duke njohur më mirë njëri-tjetrin, por edhe mënyrën tonë të lojës. Në klubet e tyre trajnerë të ndryshëm aplikojnë ide taktike të ndryshme dhe, shpeshherë, lojtarët aktivizohen edhe në pozicione të tjera për nevojat e ekipit. Ndërsa ne synojmë t’i zhvillojmë gjithmonë në pozicionet ku ata kanë karakteristikat më të mira dhe mund të shprehin maksimalisht potencialin e tyre.

Objektivi ynë është që këta futbollistë të kalojnë në ekipet e para të klubeve të tyre, por edhe të jenë pjesë e ekipeve kombëtare zinxhir, nga U-19 dhe U-21, deri te Kombëtarja A.”

Elite Youth Development Academy është një nga projektet strategjike të Federatës Shqiptare të Futbollit për zhvillimin e talenteve, me synimin për të krijuar një bazë sa më cilësore lojtarësh për klubet shqiptare dhe ekipet kombëtare në vitet e ardhshme.


Duke kontrolluar karten...