Punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të Valiasit po avancojnë me ritme të shpejta, ndërsa këto ditë ka nisur edhe shtrimi i tapetit të fushës, që është edhe faza përmbyllëse e këtij investimi të rëndësishëm që shumë shpejt do t’i shërbejë futbollit dhe komunitetit të zonës.
Për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve, stadiumin e vizitoi specialistja e Departamentit të Projekteve dhe Infrastrukturës në FSHF, Pamela Ndocaj, e cila vlerësoi progresin e investimit dhe theksoi rëndësinë që ky stadium do të ketë për zhvillimin e futbollit në zonë, si dhe për krijimin e kushteve bashkëkohore për sportistët e rinj dhe komunitetin.
“Punimet në stadiumin e Valiasit deri tani kanë ecur me ritme goxha të kënaqshme dhe projekti po materializohet dita-ditës sipas planifikimit. Me përfundimin e punimeve në tribunën qëndrore, tani jemi në fazën e shtrimit të tapetit. Nga ky bashkëpunim mes FSHF-së dhe Bashkisë Kamëz, komuniteti së shpejti do të ketë një impiant të ri sportiv, modern dhe funksional. Ne si FSHF jemi këtu për të theksuar edhe njëherë angazhimin tonë në përmirësimin e infrastrukturës sportive si dhe në krijimin e kushteve sa më cilësore për zhvillimin e fubollit në vend” – tha Pamela Ndocaj për fshf.org.
Stadiumi i ri i Valiasit do të ndërtohet sipas standardeve të Kategorisë së Parë dhe do të ketë një kapacitet prej 1400 vendesh. Ky investim është pjesë e strategjisë së Federatës së Futbollit për zhvillimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, me synimin për të krijuar kushte dinjitoze për zhvillimin e futbollit në çdo nivel.


















