"Marketingu Sportiv", një vizion i përbashkët për klubet shqiptare - FSHF

“Marketingu Sportiv”, një vizion i përbashkët për klubet shqiptare

Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar procesin e licensimeve për edicionin 2020-2021. Ky proces ashtu siç e kemi komunikuar edhe më parë, gjatë takimit të Presidentit Duka me të gjithë presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore, përmban një mori trajnimesh dhe seminaresh të njëpasnjëshme në lidhje me elementët financiarë, sportivë, juridik, infrastrukturor dhe të tjera.

Seminaret që do të organizohen gjatë procesit të licensimi të klubeve kanë si qëllim rritjen e kapaciteteve manaxheriale dhe përkon me strategjinë dhe vizionin e FSHF-së, Futbolli 2030. Në këtë vizion është rishikuar i gjithë procesi i licensimit, si nje proces bashkepunimi me cdo klub, ku FSHF do te ofroj ekspertizë dhe asistencë të vazhdueshme në çdo sektor që ka lidhje me manaxhimin bashkëkohor të një klubi futbolli.

Pas një serie takimesh nga grupi i ekspertëve të licensimit në të gjitha klubet e Kategorise Superiore dhe të Kategorisë së Parë, tashmë kanë filluar trajnimet për stafet e klubeve. Këtë javë u zhvillua seminari mbi “Marketingun Sportiv”, si një mundësi për të rritur aftësitë manaxheriale të klubeve me qëllim gjenerimin e sa më shumë të ardhurave.

Objektivi i këtij takimi mbi “Marketingun Sportiv”, një trajnim profesional në fushën e marketingut , ishte njohja me konceptet bazë të menaxhimit profesional sipas standarteve aktuale më të mira. Të pranishmit u njohën me pikat bazike të marketingut sportiv në përgjithësi si: Konkurrenca, e drejta TV, sponsorizimet, shitjet, biletat, merchandising etj.

Gjithashtu në këtë trajnim u diskutua edhe mënyra e menaxhimit sa më profesional të mjeteve të komunikimit të lidhura me marketingun, me kontributin e shefit të sektorit të PR në FSHF, Andi Verçani.

Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues të klubeve të Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë, si edhe përfaqësues nga akademitë e futbollit në vend.

Seminari “Marketingu në Sport” u organizua nga departamenti i Marketingut në FSHF, me lektorë: Gazmend Malo dhe Andi Verçani.