Lind profesioni i Video-Analistit, sot filloi kursi i parë bazik - FSHF

Lind profesioni i Video-Analistit, sot filloi kursi i parë bazik

Departamenti i Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit, i cili u prezantua për klubet dhe publikun javën e shkuar, ka filluar aktivitetin e tij. Ditën e sotme ka nisur kursi i parë, niveli Bazik, për Video-Analistë, një profesion i ri ky që po lind në Shqipëri.

Në këtë kurs marrin pjesë 16 trajnerë, të cilët përfaqësojnë klubet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe akademi sportive. Ky kurs për Klubet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë ofrohet falas nga Federata Shqiptare e Futbollit ashtu si edhe platforma WyScout që është blerë nga FSHF dhe çdo klubi i janë dhënë dy llogari për aksesimin e kësaj platforme.

Video-Analistët pas përfundimit të këtij kursi, do të ndjekin dhe Nivelin e Avancuar në muajin nëntor dhe më pas do të përdorin dhe WyScout, ku nëpërmjet të dhënave do të ndihmojnë trajnerët dhe ekipin për rritjen e performancës sportive.

Të gjithë interesuarit për të marrë pjesë në këto kurse, mund të shkruajnë një letër interesi në analysis@fshf.al