Legjionarët/ “Derbi” shqiptarësh në Serinë A e asiste, ja çfarë dhuruan kuqezinjtë këtë fundjavë - FSHF

Legjionarët/ “Derbi” shqiptarësh në Serinë A e asiste, ja çfarë dhuruan kuqezinjtë këtë fundjavë

Legjionarët shqiptarë vijojnë të bëjnë paraqitje të mira në Europë, teksa kanë dhënë edhe këtë fundjavë kontributin e tyre në sfidat e skuadrave përkatëse. Kjo ka qenë java e asisteve për dy nga futbollistët kuqezi, teksa bie në sy edhe debutimi i Etrit Berishës me fanellën e Torinos.

Gardiani i portës shqiptare tregoi cilësinë e tij në ndeshjen ndaj Bologna-s, duke i dhënë mjaft siguri prapavijës së Torinos dhe duke e mbajtur të paprekur për 90 minuta portën e skuadrës së tij. Berisha u vlerësua me notën 7.2 nga uebsajti i specializuar për statistika, “SofaScore”.

Ndërkaq, në La Liga, Myrto Uzuni bëri mjaft mirë në radhët e Granadës, duke treguar klasin e tij. Futbollisti shqiptar u tregua i rrezikshëm që në minutat e para të lojës, ndërsa krosi i tij në minutën e 56-të detyroi portierin kundërshtar të gabojë, duke e çuar topin në rrjetë

Në Turqi, Bekim Balaj ishte ëngjëll e djall këtë fundjavë për Bolusporin. Në minutën e 42-të, sulmuesi shqiptar dhuroi një asist fantastik për Kasongon, i cili gjeti golin e avantazhit, ndërsa me nisjen e pjesës së dytë, Balaj u largua nga loja me karton të kuq.

Sakaq, i riu shqiptar, Kristjan Asllani vazhdon të mahnisë skuadrat e Serisë A në Itali, teksa ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në radhët e Empolit, në ndeshjen ndaj Genoa-s ditën e diel. Pjesë e formacionit ishte edhe mesfushori Nedim Bajrami, teksa të dy kuqezinjtë u vlerësuan me notën 7.2 nga SofaScore.

“Roma – Atalanta” u përkthye në një derbi shqiptarësh këtë fundjavë në Itali, ku në kryeqytetin italian zbarkoi Gjimshiti me shokë, përballë Marash Kumbullës së Mourinho-s. Gjimshiti u aktivizua vetëm për 9 minuta në këtë sfidë, teksa Kumbulla u aktivizua për 90 minuta, ku bëri mjaft mirë në repartin difensiv.

Në Zvicër, dy shqiptarët Ermir Lenjani dhe Amir Abrashi kanë luajtur si titullar në ndeshjen e fundjavës që ekipi i tyre Grasshopers zhvilloi ndaj Servette-s. Madje, Lenjani dha edhe asistin e golit të parë të ekipit zviceran, që gjithsesi e humbi sfidën me shifrat 4-2. Abrashi luajti për 90 minuta, ndërsa Lenjani u zëvendësua në minutën e 72-të të takimit.

Të tjerë futbollistë kuqezi u aktivizuan në radhët e klubeve europiane, duke treguar formën e mirë që po kalojnë. Në fund të muajit mars, më 26 dhe 29 mars, Shqipëria do të luajë ndaj Spanjës në transfertë e Gjeorgjisë