Kursi, flet Luca Laurenti: Thelbësore të investohet për trajnerin e përgatitjes atletike - FSHF

Kursi, flet Luca Laurenti: Thelbësore të investohet për trajnerin e përgatitjes atletike

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi është përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari, i cili sëbashku me bashkëpuntorët e tij Astrit Maçi, Luca Laurenti dhe Iris Selimi, kanë bërë bashkë disa nga lektorët më të mirë në Itali dhe po u ofron pjesëmarrësve një mundësi të shkëlqyer për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore.

Pjesë e ekipit udhëheqës të këtij kursi është edhe Luca Laurenti, zv.trajneri i përgatitjes atletike të Kombëtares shqiptare të futbollit. Duke folur për ecurinë e deritanishëm të kursit, Laurenti shprehet i kënaqur për këtë nismë dhe angazhimin e pjesëmarrësve, ndërsa thekson se në ditët e sotme nuk mnd të flasësh për sport apo futboll pa folur për rolin e përgatitësit atletik.

“Sigurisht është një nismë mjaft e vyer. Roli i përgatitësit atletik në vitet e fundit është bërë i një rëndësi thelbësore dhe është tashmë një figurë e domosdoshme për stafin teknik të çdo skuadre. FSHF e ka kuptuar se sa e rëndësishme është të investojë për këtë profesion dhe ky kurs e vërteton më së miri këtë fakt. Ky është vetëm fillimi, do të organizojmë më shumë kurse, sepse kemi parë që ka shumë kërkesa, shumë interes dhe shumë pjesëmarrje. Është vërtetë në nismë e mirë dhe do të falënderoj FSHF-në për besimin e dhënë. Deri tani kursi po shkon mirë, të gjitha leksionet po i bëjmë online dhe mendoj se produkti final do të jetë mjaft i mirë pasi interesi është i madh. Përmes platformave të komunikimit online ne kemi sjellë në këtë kurs disa nga profesorët më të mirë në Itali, të cilët japin mësim edhe në Koverçano. Jemi përpjekur të sjellim në këtë kurs profesorët më të mirët në qarkullim në mënyrë që trajnimi të jetë sa më specializuar.
Në ditët e sotme një skuadër ka një staf me përgatitës atletikë brenda stafit teknik. Nuk ka më vetëm një trajner atletik, në klubet e mëdha kanë 7, 8 apo 9 përgatitës, ku secili është specializuar për një fushe të ndryshme të përgatitjes fizike. Të flasësh për një sport pa folur për përgatitësin tashmë është e pamundur. Nuk ekziston më koncepti, që një trajner i bën të gjitha”, – tha Laurenti për FSHF.

Ish-futbollisti i njohur, Orjand Abazaj, i cili është një nga pjesëmarrëset e këtij kursi, vlerëson iniciativën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe thekson se roli i përgatitësit atletik po bëhet gjithmonë e më i kërkuar në botën e futbollit.
“Mendoj që kjo është një iniciativë shumë pozitive nga ana e Federatës, bota ka ecur në përgatitjen atletike dhe ky është një vlerësim shumë pozitiv. Mendoj që duhet t’i jepet shumë përparësi përgatitjes atletike dhe në strukturat edhe te të rinjtë, te moshat dhe të jetë një stërvitje graduale dhe të ketë një program, një periodizim të stërvitjes gjatë gjithë kohës dhe që të bëhet e mundur që edhe Shqipëria, jo vetëm në nivelin tekniko-taktik, por edhe në atë fizik, të ketë mundësi të nxjerrë elementë që të luajnë jashtë sa më shumë. Personalisht shpresoj që kjo të jetë edhe një mundësi tjetër për ne të këtij kursi, që të ecim përpara dhe t’i japim një shtytje tjetër përgatitjes fizike kudo në Shqipëri.
Kursi është një nivel shumë i lartë. Ne jemi shumë të lumtur me këtë nismë. Profesorët që janë, përveçse kanë qenë trajnerë dhe preparatorë të ekipeve më me emër në Itali dhe në Europë, por është e mbështetur shumë edhe në kërkime shkencore”, – shprehet Abazaj.
Në çdo skuadër futbolli shqiptare duhet të ketë sipas rregullores një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik.