Kurse për Trajner të Përgatitjes Fizike, risia e radhës nga FSHF - FSHF

Kurse për Trajner të Përgatitjes Fizike, risia e radhës nga FSHF

Sektori i Edukimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka filluar kursin e parë në Shqipëri për Trajner të Përgatitjes Fizike. Ky kurs ka filluar sot më 16 Shtator dhe zhvillohet në Shkollën e Trajnerëve në Kamëz.

Kjo risi e FSHF vjen si rrjedhojë e rekomandimeve më të fundit që kanë ardhur nga UEFA, rekomandime të cilat janë përfshirë edhe në rregulloren e institucionit, ku parashikohet që çdo klub i Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë duhet të ketë në organikën e saj një Trajner të Përgatitjes Fizike të licensuar nga Shkolla e Trajnerëve. Kandidatët e interesuar për këtë kurs duhet të kenë përfunduar studimet e Arsimit të Lartë në profile sportive.

Nga sezoni i ardhshëm 2020-2021, ky proces do të monitorohet nga Menaxheri Licensimit, nëse Trajneri i Përgatitjes Fizike është përfshirë në Kriterin e Personelit dhe Administratës së Klubeve, në të kundërt klubet do të rrezikojnë licensimin e tyre.