Partizani u kualifikua në raundin e dytë të UEFA Conference League pas fitores në transfertë me përmbysje ndaj Marsaxlokk me rezultatin 2-1.
Të kuqtë dominuan takimin por rrugën e rrjetës fillimisht e gjetën maltezët, megjithatë Partizani barazoi menjëherë rezultatin me Tedi Carën. Ndërsa në fundin e takimit në kohën shtesë Albers Keko i dhuroi fitoren dhe kualifikimin Partizanit me golin e shënuar në minutën e 90+3.
Tani të kuqtë do të përballen në raundin e dytë të UEFA Conference League me skuadrën Iberia 1999.
Egnatia pas eleminimit nga raundi i parë i Champions League do të vijojë rrugëtimin në raundin e dytë të UEFA Conference League. Kampionët në fuqi të Shqipërisë do të përballen me islandezët e Vikingur Reykjavik.
Ndërsa Tirana dhe Vllaznia e mbyllën rrugëtimin në UEFA Conference League. Bardheblutë u mundën minimalisht 1-0 në “Elbasan Arena” nga Torpedo Kutaisi, ndërsa shkodranët u mposhtën në “Loro Boriçi” 4-0 nga ekipi i Valur.
Ndeshjet e para të raundit të dytë të UEFA Conference League do të luhen më datë 25 korrik, ndërsa takimet e kthimit një javë më pas më datë 1 gusht.

















