KUPA “COCA COLA” SHPALLEN FITUESIT PËR FEMRAT DHE MESHKUJT - FSHF

KUPA “COCA COLA” SHPALLEN FITUESIT PËR FEMRAT DHE MESHKUJT

Edicioni i pestë i Kupës “Coca Cola” është mbyllur me sukses në përballjet e shkollave 9-vjeçare në mbarë vendin. Sot u luajtën dy ndeshjet finale të këtij turneu në stadiumin “Elbasan Arena”, përkatësisht për femrat dhe meshkujt. Finalet u luajtën në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrjen e shumtë te tifozerisë në shkallët e stadiumit, me afro tre mijë nxënës, ku ndoqën bashkëmoshatarët e tyre. Në mbyllje të këtij turneu të rëndësishëm të futbollit shqiptar u mbajt edhe një mini-koncert me këngë dhe valle nga fëmijet e qytetit të Elbasanit, për ta bërë sa më festive këtë ditë.

Për femrat fituese u shpall shkolla “Pandeli Cale” e qytetit Korçë, teksa mundi me rezultatin 2- 0 shkollën “Marie Kaculini” të Durrësit. Ndërkohë, për meshkujt fituesi u shpall shkolla “Ptoleme Xhuvani” Elbasan, pasi mundi në finale shkollën “Skënderbej” Shkodër. Koha e rregullt u mbyll në barazim 2 – 2 , ku elbasanasit e rinj fituan falë penalltive me rezultatin 4-1.
Në këtë aktivitet, morën pjesë edhe të ftuar specialë, si këngëtarja Arilena Ara, e cila dha edhe trofeun për vajzat. Ndërsa për djemte, trofeun e dha anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, z. Vasil Bicaj.

Ky turne i organizuar në bashkëpunim me “Coca Cola”,  Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, promovon jetën aktive dhe mirëqenien tek të rinjtë. Ajo synon të jetë një shembull që frymëzon dhe motivon njerëzit për të qene fizikisht aktivë. Kjo është arsyeja pse Coca-Cola Bottling Shqipëria synon që ky aktivitet të jetë pjesë e përvitshme e aktiviteteve sportive nëpër shkollat e Shqipërisë.

Ndeshjet e zhvilluara:

Ora 11:00      Pandeli Cale (Korçë) – Marie Kaculini (Durrës) 2 – 0 (Femra)

Ora 12:00      Ptoleme Xhuvani (Elbasan) – Skënderbej (Shkoder) 2-2 (4-1 penallti) (Meshkuj)