Të 211 federatat anëtare të FIFA-s u mblodhën në një Kongres të Jashtëzakonshëm të FIFA-s ku Maroku, Portugalia dhe Spanja u caktuan si vendet pritëse të Kupës së Botës FIFA 2030, me tre ndeshje të këtij turneu që do të zhvillohen në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai (një në secilin vend) me rastin e festimit të 100-vjetorit të turneut, ndërsa Arabia Saudite u zgjodh si vendi organizator i Kupës së Botës FIFA 2034.
Në mbledhjen e zhvilluar e gjitha online nga FIFA mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka përmes video-konferencës.
Përzgjedhja e vendeve pritëse të edicioneve 2030 dhe 2034 të Kupës së Botës FIFA përfundon një proces të plotë garimi të nisur në tetor 2023 pas propozimit unanim të bërë nga Këshilli i FIFA-s dhe i mbështetur nga të gjitha konfederatat, me synimin për të ofruar harmoni dhe rotacion ndërmjet konfederatave në lidhje me ciklin pritës për turneun.

Duke iu drejtuar Kongresit të Jashtëzakonshëm të FIFA-s përpara caktimit të vendeve organizatore përkatëse, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha: “Në botën e sotme të ndarë, ku duket se askush nuk mund të pajtohet më për asgjë, të jesh në gjendje të biesh dakord për diçka të tillë është padyshim një mesazh i pabesueshëm i unitetit dhe pozitiviteti. Dhe ne kemi nevojë për këto mesazhe sot.”
Pas vendimit për zgjedhjen e vendeve pritëse të edicioneve 2030 dhe 2034 të Kupës së Botës FIFA, Presidenti Infantino shtoi: “Kupa e Botës FIFA është unike dhe është një katalizator unik gjithashtu për ndryshime pozitive shoqërore dhe unitet sepse këto janë turne për të bashkuar, jo për të ndarë. Sot është një ditë bashkimi dhe një ditë feste. Shtatë vende kanë fituar Kupën e Botës sot. Urime Uruguait, Argjentinës, Paraguait, Marokut, Portugalisë, Spanjës dhe Arabisë Saudite. Dhe ju, 211 federatat anëtare të FIFA-s që unë mund t’i shoh në një ekran gjigant përballë meje, ju po bashkoni botën përmes futbollit, sepse, sigurisht, futbolli bashkon botën.”
Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s miratoi gjithashtu parimet buxhetore për Botërorin e Klubeve FIFA 2025, me të gjitha të ardhurat e krijuara që do të riinvestohen në futbollin e klubeve.


















