Konferencë për shtyp para ndeshjes me Lituaninë, flet kapiteni Hysaj dhe trajneri Reja - FSHF

Konferencë për shtyp para ndeshjes me Lituaninë, flet kapiteni Hysaj dhe trajneri Reja

Trajneri Edoardo Reja dhe kapiteni i kombëtares Elseid Hysaj, kanë dalë mbrëmjen e sotme në konferencën zyrtare për shtyp, në prag të ndeshjes së vlefshme për UEFA Nations League, ndaj Lituanisë. Kjo është ndeshja e dytë e kuqezinjve për këtë kompeticion, sfida e parë e këtij edicioni u mbyll me fitoren e përfaqësueses sonë në Bjellorusi me rezultatin 0-2.

Kapiteni Hysaj në fjalën e tij theksoi: “Është pak e vështirë ndaj Lituanisë, pasi kemi pasur shumë pak kohë për të rikuperuar energjitë. Kemi parë disa video dhe kemi kuptuar se Lituania luan shumë bukur dhe të vë në rrezik. Luajnë shumë në sulm për të shënuar, por kjo mund të na ndihmojë për të pranuar kundërsulmin. Roli aktual në Kombëtare? Është një rol i ri, pasi gjithmonë kam luajtur me 4, por më pëlqen si rol, pasi më jep mundësi të shkoj përpara, për të provuar golin. Jam shumë i kënaqur me rolin që më ka dhënë trajneri. Karriera ime tani është në lulëzim, pasi jam vetëm 26 vjeç. Me Napolin besoj se do të gjejmë një zgjidhje pasi është si shtëpia ime e dytë. Shpresoj që të rinovoj dhe të qëndroj aty për shumë gjatë. Unë kam shumë qejf të shënoj sa më shumë. Shpresoj që të shënoj dhe më pëlqen goli. Shpresoj që ditën e nesërme të bëj një gol.”

Trajneri Reja në fjalën e tij u shpreh: “Është një ndeshje e ndryshme, e vështirë. Lituania luan mirë me topin, është e shpejtë nga krahët. Kam besim te ekipi im. Do më duhet të bëj disa ndryshime. Do jem shumë i kujdesshëm në zgjedhjet e mia. Sa i përket fazës sulmuese kam probleme, pasi Cikalleshi ka shqetësime fizike. Për mbrojtjen nuk është se kam ndonjë shqetësim, pasi nuk lodhen shumë, sidomos tre mbrojtësit e qendrës. Kam edhe Enea Mihaj, i cili është kandidat për të luajtur.Edhe për pjesën e mesfushës, kemi Baren dhe Abrashin, që kanë shpenzuar shumë energji. Po shikoj dhe në mesfushë për të bërë ndonjë ndryshim. Nuk e di si do të jetë Hysaj, nëse do të jetë “top” si kundër Bjellorusisë, por duhet të tregojmë shumë kujdes për lojtarët, që të mos pësojnë dëmtime. Sigurisht që jam i kënaqur me rezultatin ndaj Bjellorusisë, por rruga është e gjatë. Nuk duhet të bëjmë asnjë gabim. Nuk isha i kënaqur me sulmin kundër Bjellorusisë, pasi nuk e ndihmoi shumë skuadrën, por për shkak të problemeve fizike, edhe ndeshja nuk u interpretua nga lojtarët siç duhet. Ne kishim 9 muaj pa u takuar me njëri-tjetrin dhe për tre ditë, është shumë e vështirë. Ishte e vështirë të fitonim, por jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi. Treguan se donin të fitonin me çdo kusht. Ne kompensuan pjesën fizike me karakterin që treguam në fushë. Unë do të doja që Roshi të ishte titullar, por për shkak të modulit me të cilit luajmë, nuk është e mundur. Ua kam thënë lojtarëve, sikur 5 minuta të luajnë, duhet të japin maksimumin në fushë. Është e vështirë të ndryshohet skema gjatë rrugës. Unë kam kohë që luaj me këtë skemë dhe ekipi është përshtatur. E kam provuar dhe Roshin, por nuk dua të bëj eksperimente të tilla. Ramadani dhe Ismajli? Për sa i përket dy lojtarëve, kanë disa probleme fizike dhe më vjen shumë keq. Mund të them se nuk mund të rikuperohen për këto dy ndeshje. Duhet të presim tetorin. Më vjen keq, sepse i kisha në planet e mia. Normalisht, mua më duhen 22 lojtarë për dy ndeshje. Por sigurisht që ne kemi shumë alternativa, kemi shumë lojtarë të rinj: Çekiçi, Laçin. I kam parë në stërvitje, janë shumë mirë teknikisht dhe fizikisht. Janë dhe Broja e Çepele, që kanë bërë shumë mirë. Më ka pëlqyer shumë Broja, por dhe Çepele, i cili është vetëm 17-vjeç, por është një lojtar që duket sikur ka shumë eksperiencë. Sigurisht do të vijë edhe momenti për këto lojtarë të rinj.”