Konferencë për shtyp, flasin Roshi dhe Gjasula - FSHF

Konferencë për shtyp, flasin Roshi dhe Gjasula

Sot më 3 shtator 2019, ka dalë në konferencë për shtyp dy futbollistët e kombëtares, Odise Roshi dhe Klaus Gjasula. Kuqezinjtë folën për përgatitjet e dy ndeshjeve kualifikuese të Shqipërisë, në datën 7 shtator, Francë-Shqipëri dhe 10 shtator Shqipëri-Islandë.

Odise Roshi në fjalën e tij theksoi: “Pas operacionit e kam marrë veten mirë dhe kam zhvilluar disa ndeshje. Mendoj se jam në formë optimale tashmë. Kombëtarja është shumë mirë dhe ndeshjen e fundit kemi fituar. Kemi një ndeshje të rëndësishme kundër Francës dhe Islandës. Luajmë ndaj një kundërshtari të mirë dhe dihet se ku luajnë. Do të hyjmë në fushë dhe të japim maksimumin. Nëse hyj e di trajneri, por unë jap gjithmonë maksimumin. Asisti dhe kur shënoj është diçka shumë pozitive për mua sepse kontribuoj për ekipin tim. Fryma është shumë e mirë por për ne rëndësi kanë rezultatet. Ne gjithmonë bëjmë maksimumin, kanë ardhur edhe të rinj dhe shpresoj të bëjmë mirë.Trajneri luan nga krahët por ende nuk është vendosur kush luan. Shpresoj që ata që luajnë të japin maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv. Do të ishte diçka e bukur për të gjithë shqiptarët.3-5-2? Kam luajtur edhe në Rusi, por trajneri ende nuk e ka bërë skemën pasi kemi kundërshtar të fortë. Mungesat e Francës? Edhe ata që janë në stol luajnë në ekipe të mëdha dhe nuk e kanë problem. Nuk është mirë të flasësh, fitojmë apo humbim. Me Francën kemi fituar këtu dhe barazuar atje, por ia lëmë ndeshjes më mirë.”

Klaus Gjasula në grumbullimin e parë me kombëtaren u shpreh: “Jam shumë mirë dhe është kënaqësi që jam këtu. E kam pritur gjatë këtë ditë dhe të jap maksimumin për të ndihmuar. Do të ishte e madhe nëse luaj por vendos trajneri. Vitet e fundit nuk kam menduar se do të vijë kjo ditë, por më ka ecur mirë me skuadrën time Paderborn dhe tani luaj në Bundesligë. Natyrisht kur luan në Bundesligë është mirë. Flas më vëllanë për shumë gjëra dhe ka qenë këtu dhe e di si ecin punët. Më ka thënë disa gjëra. Besoj se do të integrohem shpejt. U pritëm mirë pasi janë lojtarët e hapur, të flasin dhe të mbajnë në anë. Konkurrenca duhet në çdo ekip që të ecësh para. Ai që e ka merituar më shumë dhe që e sheh trajneri, ai do të luajë”