Ditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp, në ambjentet e kompleksit “Tropikal” dy futbollistët e kombëtares, Ardian Ismajli dhe Eros Grezda. Ismajli i cili debutoi mbrëmjen e djeshme me ekipin përfaqësues u shpreh: “Nuk e kisha menduar këtë situatë, por fati donte që Mërgimi të merrte atë karton dhe të futesha unë. Futbolli i ka këto dhe ne tani duhet të shohim para. Ishte koha ime të ndihmoja skuadrën. Emocionet kanë qenë të mëdha, por në moment që u futa ishin edhe më të mëdha. E kam pritur këtë debutim, pavarësisht humbjes. Më kanë pritur shumë mirë, ambienti është i mirë. Kam marrëdhënie të mira dhe më kanë afruar. Çdo gjë është në rregull. Çdo ekip kombëtar ka krizë, besoj se do e kalojmë shumë shpejt këtë situatë dhe do të rikthehemi te rezultatet pozitive. Them se do të vijë përsëri koha të kualifikohemi si në Francë.”
Grezda, i cili aktivizohet në Skoci në rradhët e Rangers u shpreh: “Jemi në situatë të vështirë. Mënyra e vetme është të qëndrojmë më kokën lart. Trajneri na foli për problemet që kishim dje. Kemi edhe një takim tjetër, kështu që duhet të mbajmë motivimin lart. Kisha probleme me Rangers, megjithatë u ndjeva mirë, edhe pse vetëm në seancën e fundit u stërvita me grupin. Ai karton I kuq na dëmtoi shumë. Më shqetësoi pak pulpa po nuk është asgjë serioze. E vetmja ndeshje që duhet të marrim shembull është ajo me Turqinë. Ka lojtarë si Sadiku dhe Roshi që mungojnë, nuk është njësoj pa ta. Duhet të japim maksimumin. Kemi shumë diferencë nga viti kaluar. Duhet të bëhemi grup”.