Konferencë për shtyp, flasin Gjimshiti dhe Seferi - FSHF

Konferencë për shtyp, flasin Gjimshiti dhe Seferi

Ekipi kombëtar vazhdon grumbullimin në prag të ndeshjeve kualifikuese kundër Turqisë në 11 Tetor dhe ndaj Moldavisë më 14 Tetor. Për të folur për grumbullimin dhe dy sfidat kualifikuese, sot kanë dalë në konferencë për shtyp Berat Gjimshiti dhe Taulant Seferi.

Mbrojtësi Gjimshiti në fjalën e tij u shfaq optimist në prag të ndeshjeve me Turqinë dhe Moldavinë, edhe se janë dy ndeshje shumë të vështira: “I kemi dy ndeshje shumë të vështira, sidomos kundër Turqisë, por besoj se kemi shanse të vërteta. Në ndeshjen e kaluar kemi bërë gabime individuale. Do ta shikojmë si një shans të ri dhe do të japim maksimumin. Më vjen keq për Hysajn që u lëndua para Kombëtares, pasi ishte dhe kapiten kur nuk ishte Mërgimi. Besoj do na mungojë, por do luajmë edhe për Elsin. Kam më shumë se 5 vite që jam këtu dhe kam kaluar eksperienca të mira dhe të këqija. Do të marr përgjegjësi më të mëdha dhe do vazhdojmë të shikojmë përpara. U pa dhe në ndeshjen e fundit me Islandës që u ndryshua diçka, pasi luajmë më të sigurt. Ka pasur shumë ndryshime në skuadër dhe jemi mirë me sistemin e ri që luan trajneri Reja. Mund të kemi një shans të vërtetë. Momenti juaj i mirë? Mund të them që është një moment shumë i bukur. Gjërat që i kemi arritur me Atalantën, dua t’i bëj edhe me Kombëtaren. Vetëbesimin që e kam te Atalanta dua ta transmetoj edhe këtu në ekipin Kombëtar.

Entusiast dhe shumë i kënaqur për grumbullimin në skuadrën kombëtare u shfaq Taulant Seferi. “Unë e kam ndjekur gjithmonë Kombëtaren dhe jam shumë i befasuar dhe i kënaqur nga pritja. Po shikoj një pozitivitet, shpresoj që këtë atmosferë ta përcjellim edhe në ndeshjet e ardhme. Kam pritur ftesën të isha në Kombëtare, pasi mendoj që jam mirë dhe shpresoj të bëj më të mirën për fanellën kuqezi. E rëndësishmja është se po ndihem mirë, për minutat vendos trajneri. Unë do jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Këto 2 ndeshjet e fundit me klubin nuk kam luajtur nga fillimi se kisha një dëmtim të vogël. Tani besoj se ndihem shumë mirë. Trajneri ka marrë në Kombëtare ata që janë në formë më të mirë. Duhet të fokusohemi vetëm te fitorja në 2 ndeshjet e radhës. Jemi një grup shumë i mirë i lojtarëve. Unë do jap maksimumin dhe jam gati të luajë në çdo pozicion që trajneri do dëshirojë”.