Konferencë për shtyp, flasin Cikalleshi dhe Selahi - FSHF

Konferencë për shtyp, flasin Cikalleshi dhe Selahi

Futbollistët e ekipit kombëtar, Sokol Cikalleshi dhe prurja më e re e kuqezinjve, Lindon Selahi, kanë dalë në konferencë për shtyp në vigjilje të dy ndeshjeve kualifikuese të Euro 2020. Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshje në transfertë, më 11 tetor përballë Turqisë dhe më 14 tetor në Moldavi.

Në fjalën e tij Cikalleshi u shpreh:” Normalisht, për një sulmues golat janë ato që na motivojnë e na bëjnë që të luftojme e te punojmë më shumë në ndeshjet në vazhdim. Jam I gatshëm të bëj maksimumin tim tani me kombëtaren. Sigurisht është një nga ndeshjet më të vështira pasi Turqia vjen favorite sepse luan në fushën e saj por shkojmë për të bërë lojën tonë. Ndihemi mirë dhe do ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë. Do të shkojmë në Turqi për të fituar ndeshjen edhe pse do të jetë e vështirë. Morali është i mirë pas asaj fitoreje me rezultat të mirë. Këtë ndeshjen e Turqisë kemi të njëjtën situatë që pa njërën nuk vlen tjetra.

Unë e di që ëndrra për kualifikim është e vështirë dhe nëse arrijmë të fitojmë, nuk e kemi lehtë me Turqinë dhe Moldavinë. Jemi në rrugën e duhur, me ardhjen e Rejës gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe flas edhe në aspektin personal pasi kam arritur të shënoj. Është një rrugë e gjatë dhe hap pas hapi hedhim themelet për Botërorin e ardhshëm por jemi edhe në garë për këtë europian. Futbollistët po marrin minuta dhe kjo është nga më të rëndësishmet dhe do të jemi mirë. Po shënojmë jo vetëm ne sulmuesit dhe kjo është diçka e mirë e shpresoj të na ndihmojë. E njoh Turqinë sepse kam luajtur me shumicën prej tyre.
Skuadra turke ka elementë të mirë dhe futbollistë që luajnë në liga të forta. Kjo ndeshje luhet në fushën e tyre dhe ato janë favoritë. Mund të kujtojmë ndeshjen në Shkodër, por ishte në rrethana ndryshe. Me trajnerin Reja në aspektin personal jam ndjerë mirë dhe po gjej vetveten e këtë e kam shfaqur në fushë duke shënuar. Kam marrëdhënie të mirë dhe jam i lumtur nëse vazhdon këtu si trajner por mendoj se edhe shumë të tjerë mendojnë këtë gjë. Është Federata ajo që vendos në fund por ne duam të vazhdojë. Fola pak me Hysajn por mund të mungojë. Është humbje e madhe pasi Hysaj është lojtar kryesor dhe do të jetë humbje e madhe. Edhe ndaj Islandës, bëri një nga ndeshjet më të mira duke shënuar edhe gol. Mendoj se në atë pozicion ka lojtarë të tjerë si Roshi që e bën shumë mirë dhe uroj të mos e ndjejmë mungesën.”

Lojtari më ri i i kombëtares, Lindon Selahi theksoi: “Mendoj se e kam merituar këtë ftesë. Që i vogël ka qenë dëshira ime që të luaj në Kombëtare. Jam më i vogël por shpresoj që të luaj, trajneri vendos në fund dhe mendoj se jam gati. I njoh disa nga futbollistët, pasi kemi luajtur tek U-21.

Kur kam qenë i ri kam luajtur me Belgjikën sepse nuk më ka ftuar Shqipëria, por tani që më thirri Shqipëria e vendosa. Edhe tani më ka kërkuar Belgjika, por kur e ndjen veten shqiptar, shkon 100% te Shqipëria. Ka pasur moment që nuk kanë qenë mirë por tani jemi mirë. Mendoj se kemi shans për të kaluar dhe në Turqi e Moldavi shkojmë për të fituar dhe për të luajtur mirë.

Mund të luaj kudo në mesfushë por mund të luaj më mirë si numër 8. Nuk e kam problem edhe si “6” apo “10”. Për momentin jam në sezonin parë te Tuente por jam mirë. Nuk po shoh lart por jam mirë. Ëndrra ime është të luaj sa më shumë minuta dhe të luaj me Kombëtaren. Ëndrra është të kualifikohemi dhe të fitojmë në Kupat e Europës”