Konferencë për shtyp, flasin Cikalleshi dhe Ajeti - FSHF

Konferencë për shtyp, flasin Cikalleshi dhe Ajeti

Futbollistët e ekipit kombëtar, Sokol Cikalleshi dhe Arlind Ajeti, kanë dalë në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjeve kualifikuese të Euro 2020, në 8 Qershor ndaj Islandës në transfertë dhe më 11 Qershor në “Elbasan Arena” kundër Moldavisë.

Cikalleshi në fjalën e tij u shpreh:-”
Të jesh në Kombëtare është gjithmonë kënaqësi dhe të kontribuosh për kombin tënd është nder. Po punojmë me intensitet të lartë dhe shihet qartë që si stafi dhe ne lojtarët, jemi të një mendjeje. Uroj që këtë punë ta konkretizojmë me rezultat kundër Islandës.  Në dy grumbullimet e vitit të kaluar me Panuccin, kam qenë i pafat, pasi isha i dëmtuar.Dihet si shkuan gjërat me Panuccin, duhet ta lëmë pas dhe të nisim një kapitull të ri. Duke iu referuar sistemit të ti të Rejas, sulmuesit kanë më shumë përparësi për të luajtur. Nga 4 sulmues, do të luajmë dy, pavarësisht se varet sesi shkojnë gjërat. Ne kemi qenë gjithmonë një grup i harmonizuar dhe nuk kemi patur probleme, kushdo që ka luajtur ne e kemi mbështetur. Luan Sadiku, Balaj, Uzuni apo unë, mbështetja do të jetë maksimale. Harmonia dhe fryma pozitive e krijuar do të na ndihmojnë shumë në dy ndeshjet e radhës. Kam shënuar dy gola me Kombëtaren dhe shumë shtylla, por nuk kam mbetur i pakënaqur. Duke qenë se do të luajmë me dy sulmues shanset janë për të qenë afër portës. Goli nuk është qëllim në vetvete, me shumë kanë rëndësi rezultatet.”

Ajeti theksoi:-“Jemi duke u stërvitur me intensitet dhe më duket shumë mirë çdo gjë deri tani. Atmosfera mes stafit dhe mes lojtarësh ka qenë shumë e mirë, diçka që na ka munguar për një kohë të gjatë. Ne si lojtarë në çdo ndeshje mundohemi të japim maksimumin dhe pavarësisht trajnerit ne luajmë për kombin tonë. Nuk kam një përgjigje, nuk e di pse ka qenë kështu mbrojtja. Ka pasur ndeshje që nuk kemi luajtur mirë në mbrojtje apo në sulm, por janë të gjithë fajtorë dhe shpresoj që ndeshjet e ardhshme do të përmirësohemi. Të luajturit me zemër duke mbrojtur mirë është forca jonë, duke dhënë gjithçka kemi. Trajneri na ka dhënë diçka ekstra dhe do mundohemi t’i zbatojmë detyrat që na jep trajneri.”


Duke kontrolluar karten...