Konferencë për shtyp, flasin Basha dhe Dermaku - FSHF

Konferencë për shtyp, flasin Basha dhe Dermaku

Lojtarët e ekipit kombëtar, Migjen Basha dhe Kastriot Dermaku, kanë dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp për të folur për përgatitjet që janë duke zhvilluar kuqezinjtë në Kompleksin Tropikal, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Euro 2020, ndaj Islandës më 8 Qershor në Rejkjavik dhe Moldavisë në 11 Qershor në Elbasan Arena.

Në fjalën e tij Migjen Basha nënvizoi: “Ekipi nuk është i plotë tani, po ndihemi më të lirë me Rejën. Ka qenë ndryshe me Panuccin, por nuk e bëj fajtor atë. Është trajner i ri, me tjetër mentalitet. Varet nga rezultatet, me fitore rritet harmonia. Ndryshe bëhet problem. Trajneri ri? Është ndryshe, Panucci vendosi rregullat e tij dhe u munduam t’i zbatojmë. Duhen respektuar. Nuk e di nëse ishin pozitive apo jo. Mund të them që është ndryshe me Rejën. Nuk ia jap gjithë fajin Panuccit, por kur janë rregullat duhen respektuar. Jemi përgatitur pak taktikisht, po punojmë në aspektin fizik. Më pas do shohim si do stërvitemi. Ka më shumë eksperiencë dhe shikohet që ka raport tjetër me lojtarët. Qershori, muaj i pafat? Jemi profesionistë, nuk e marrim lehtë. Luajmë për vendin tonë, nuk ka lidhje miqësore apo jo. Disa herë kemi bërë mirë, disa herë jo. Vitin e fundit ka pasur shumë mungesa, Panucci bëri disa teste dhe nuk shkuan gjërat mirë. E dimë që duhet patjetër rezultat. Duhet të fitonim më Turqinë. Është me rëndësi të marrim pikë me Islandën dhe Moldavinë. Ka humbur pak entuziasti dhe duhet që ne lojtarët ta kthejmë me rezultate. Kur të spostohemi në Tiranë mund të ndryshojë situata”.

Kastriot Dermaku theksoi: “Duhet të japim maksimumin, të marrim pikë dhe të shohim deri ku mund të mbërrijë kjo kombëtare. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, por me rëndësi është që ta japim maksimumin. Konkurrenca është e madhe dhe është pozitive. Nuk pres me qenë titullar, do jap maksimumin. Nëse më jepet shansi do kërkoj të jap më të mirën time. Partneri në mbrojtje? Nuk e di me kë dua të luaj. Me rëndësi është të luaj, me këdo. Me rëndësi është të kem minuta dhe të tregoj veten”.