KONFERENCË PËR SHTYP E FUTBOLLISTËVE TË U-19, ENES ISUFI DHE MARSEL ISMAJLGECI - FSHF

KONFERENCË PËR SHTYP E FUTBOLLISTËVE TË U-19, ENES ISUFI DHE MARSEL ISMAJLGECI

Sot në orën 12:00 në ambjentet e resortit “Tropikal” në Durrës kanë dalë përpara mediave dy futbollistët e rradhës të kombëtares U-19, Enes Isufi dhe Marsel Ismajlgeci, të cilët janë grumbulluar nga përfaqësuesja kuqezi për turneun zyrtar të vlefshëm për eliminatorët e Europianit U-19. Shqipëria bën pjesë në grupin e 8-të sëbashku me Norvegjinë, Sllovakinë dhe Ukrainën. Ndeshjet do të zhvillohen nga data 10-16 tetor në “Niko Dovana” Durrës dhe stadiumin e Kamzës.

Mbrojtësi Isufi në fjalën e tij theksoi: “Kemi disa ditë që po stërvitemi, shokët e skuadrës janë gati, të gjithë mezi i kemi pritur këto ndeshje dhe në cdo seancë stërvitore po japim 100 % nga vetja, në mënyrë që në këto ndeshje eliminatore të dalim sa më mirë. Shpresojmë shumë të dalim të parët në grup. Ende nuk jemi grupi i plotë pasi presim edhe disa shokë të tjerë që ti bashkohen skuadrës përfaqësuese. Sa i përket kundërshtarëve ne e dimë që ato janë ekipe të forta, por ne kemi objektivat tona. Kemi disa grumbullime me të njëjtin grup shokësh dhe kemi ndërtuar marëdhënië shumë të mira.”

Poashtu mbrojtësi tjetër Marsel Ismajlgeci u shpreh: ” Grumbullimi po shkon shumë mirë, jemi stërvitur fortë dhe të gjithë po japim maksimumin dhe shpresoj që do të ecim mirë. Në fakt u bënë disa grumbullime që jemi të gjithë sëbashku dhe mendoj se jemi përshtatur me lojën e njëri tjetrit. Gjatë gjithë kohës rrimë bashkë dhe jemi të afërt si në fushë dhe jashtë saj.”