KONFERENCA PËR SHTYP NJË DITË PARA NDESHJES MIQËSORE, KOSOVË-SHQIPËRI - FSHF

KONFERENCA PËR SHTYP NJË DITË PARA NDESHJES MIQËSORE, KOSOVË-SHQIPËRI

Një ditë përpara ndeshjes miqësore, Kosovë-Shqipëri, trajneri Panucci sëbashku me dy futbollistët, Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj, kanë dalë në një konferencë për shtyp.

Fillimisht pyetjeve të gazetarëve, iu përgjigj trajneri Christian Panucci, i cili theksoi:- “Superioren e ndjek thuajse çdo jave dhe kam nën vëzhgim të gjithë elementet që mund t’i shërbejnë kombëtares. Këtë herë ishte radha e Gurit, që ka bërë një sezon shumë të mirë, por lojtarë si ai dhe të tjerë, janë gjithmonë të mirëpritur, nëse paraqiten mirë. Kemi një grup shumë të mirë, që shfaq seriozitet dhe përkushtim në punë. Mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë dhe do punojmë akoma më shumë, për të qenë gati në Nations League. Dua që në atë kompeticion të dalim të parët dhe i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Janë ata që duhet të më japin një mesazh mua. Unë ndjek çdo fundjavë të gjithë futbollistët shqiptarë dhe vlerësoj paraqitjet e tyre. Në fund bëj vlerësimet e mia dhe grumbulloj ata që janë më në formë dhe që më garantojnë paraqitje dinjitoze. Në këtë kuptim, janë ata që duhet të më dërgojnë sinjale përmirësimi dhe forme të mirë, për t’i grumbulluar më pas.  Nesër është një ndeshje miqësore, ku si unë, ashtu edhe trajneri i Kosovës, kemi synim për të eksperimentuar dhe për të marrë sinjale sa më të mira, në kuadër të ndeshjeve të Nations League. Sa i përket talenteve, shqiptarët janë të ndarë në 3 shtete dhe unë kam emisarët e mi, me të cilët përpiqem t’i ndjek që të gjithë. Më pas nëse shoh elementë të mirë, ju prezantoj thirrjen për t’iu bashkuar Shqipërisë, por zgjedhja u takon atyre. Duhet të jemi seriozë në atë që bëjmë dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje. Verdiktin e jep fusha, por ne futemi gjithmonë në lojë për të fituar, ndonëse në lojë janë 3 rezultate. Për mua rëndësi ka të vlerësojmë maksimalisht çdo kundërshtar dhe të japim më të mirën, pastaj rezultati del disi në plan të dytë. Kemi zgjedhur dy kundërshtarë, një të fortë dhe një më pak të fortë, për të parë se si do të mund të luajme në fushë.” ishin fjalët e trajnerit Panucci.
Mbrojtësi i kombëtares Elseid Hysaj u shpreh:-“Mendoj që të gjithë futen në fushë për të fituar, është  njësoj edhe për ne. Kemi një grup shumë të mirë dhe çdo ndeshje e luajmë për ta fituar, pavarësisht çfarë ndodh në fushë. Edhe nesër do të kërkojmë fitoren, por të njëjtën gjë do të bëjë edhe Kosova. Natyrisht që nuk më vjen mirë që largohet Sarri, pasi me të kam 6 vite që punoj dhe e kuptoj mjaft mirë atë që kërkon në fushë. Është një trajner që i detyrohem shumë, pasi më ka ndihmuar shumë për të ecur përpara në karrierë dhe më vjen keq që nuk do të jetë më. Sa i përket Ancelottit, më duket një veprim mjaft i mirë i Napolit, pasi bëhet fjalë për një nga trajnerët më të mirë në botë, që i ka dhënë shumë futbollit dhe do të dijë të sjellë eksperiencë edhe te skuadra jonë. Ashtu si ju, edhe unë lexoj që Hysaj do shkojë te PSG-ja, te Bayerni, te Manchesteri, etj, por deri tani mund të them se nuk ka asgjë konkrete. Përsa kohë që nuk ka asgjë konkrete, unë mbetem një futbollist i Napolit dhe jam i lumtur për këtë.”

Video e plotë