Konferenca për mediat, Reja dhe Berisha: Bjellorusia një finale, vlejnë vetëm 3 pikët!

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, i shoqëruar nga kapiteni Etrit Berisha, kanë dalë sot në konferencën zyrtare për media, një ditë përpara ndeshjes me Bjellorusinë. Në fjalën e tij, teksa i përgjigjej interesit të gazetarëve, kapiteni Berisha komentoi ndeshjen që Kombëtarja zhvilloi ndaj Kazakistanit dhe golin e pësuar si dhe shtoi se ekipi ynë ka më shumë kualitete se ekipet e tjera të grupit.

Ndërkaq trajneri Reja u foli për ndeshjen kundër Kazakistanit, rezultatin e marrë, rastet e shpërdoruara dhe gabimet e bëra nga ekipi. Më tej tekniku kuqezi foli për formacionin e mundshëm, lojtarët që do të mungojnë dhe lojtarët që mund të luajnë. Në fund, Reja theksoi se kjo është një ndeshje finale dhe u shpreh i bindur se ekipi do të bëjë një ndeshje të mirë.

Kombëtarja jonë do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e fundit të vlefshme për Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë në orën 16:00 dhe në rast fitoreje, ajo do të ngjitet në vendin e parë të grupit 4, në Ligën C.

Në fillim ishte kapiteni Berisha që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:
– Përshëndetje. Është finalja e sezonit për kreun e grupit. A është gati Shqipëria për ta fituar këtë ndeshje?
-Historikisht si skuadër kemi vuajtur në momentet kur duhet të fitojmë. Çfarë mund të themi se është ndryshuar me situatën aktuale dhe kemi pësuar vetëm dy gola në këtë edicion të Ligës së Kombeve që mund të ishin evituar në njëfarë mënyre. Do të arrijmë ndaj Bjellorusisë të kemi po të njëjtin problem?
– Skuadra është shumë e motivuar për këtë ndeshje dhe jemi duke përgatitur edhe detajet e fundit. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë si të gjithë të tjerat, mirëpo mendojmë që kualitetin ne e kemi dhe të gjitha mundësitë e tjera po ashtu. Sa i përket pyetjes tjetër që kemi pësuar vetëm dy gola, jemi të lumtur, pasi kanë qenë dy gola të evitueshëm dhe nuk kemi pësuar gola nga aksionet e kundërshtarit. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me siguri ndeshja e ardhshme është ajo më e rëndësishmja ku do mundohemi që të fitojmë.

– Bjellorusia është një kundërshtar edhe më i fortë se Kazakistani, ka një ekip që ka një formë fizike shumë më të mirë sesa rivalët e Kazakistanit. Ne pamë që në ndeshjen e shkuar, atë të të dielës, u vutë në vështirësi, e gjitha si skuadër në pjesën e parë. Vuajtëm, pavarësisht se edhe shënuam. Çfarë mund të bëjmë më mirë me Bjellorusinë?
– Unë mendoj që edhe kundërshtari mori iniciativën në fillim të pjesës së parë, mirëpo nuk mendoj që ishim në vështirësi të madhe. Ne në fushë nuk patëm atë ndjesinë që Kazakistani mund të shënonte apo të bënte aksione të rrezikshme. Disa gjëra i kemi parë edhe ne pas lojës, i kemi analizuar që duhet të bëjmë më mirë dhe duhet të mundohemi t’i eliminojmë ato gabime që i kemi bërë më herët. Bjellorusia është një skuadër më ndryshe, fizikisht më e fortë, mirëpo ajo ndeshja që zhvilluam atje ishte shumë pozitive dhe ndeshja që zhvilluam atje na jep mundësi edhe për këtë ndeshje.

– Pas golit që pësuat në ndeshjen me Kazakistanin, qoftë FIFA por edhe shumë media europiane e kanë trumbetuar këtë gol, sepse ishte i bukur duke i dhënë meritat kundërshtarit më tepër. Megjithatë ka pasur kritika edhe nga ju, nga emra të mëdhenj, për shembull, si Roi Kin, një ish-futbollist i madh anglez. I keni lexuar dhe kjo gjë ju ka vendosur në një lloj presioni psikologjik për ndeshjen e radhës, apo nuk ka ndikuar?
– Jo, është një gol që mund të ishte i evitueshëm dhe komentet do të jenë të ndryshme, por nuk është se unë aty do rri dhe do i shikoj se çfarë kanë shkruar dhe çfarë kanë bërë. Me rëndësi është se e di se ku ishte gabimi apo vendosja ime ishte pak më e lartë se ç’duhej dhe kjo përfundon këtu. Kurse goli, mundësia që i kanë dhënë atij, ka provuar, për shkak se ne në fushë ndiheshim që Kazakistani nuk mund të na rrezikonte. Ndoshta e ka parë atë mundësi dhe ishte fatlume për të.
– Etrit, kjo është ndeshja finale, fatmirësisht e luajmë në shtëpinë tonë. Presioni sigurisht është në krahun e ekipi tonë kombëtar. Ndeshje të tilla ne nuk është se i interpretojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Si paraqitet situata në vigjilje të kësaj përballje?
– Unë mendoj që edhe sfida me Kazakistanin ishte me shumë rëndësi pasi ishte hapi i parë për të filluar një mission që kishim të ishim në vendin e parë. Mirëpo mendoj që e arritëm me sukses dhe fillimi i punës mbarë është gjysma e punës dhe kjo ndeshje do të jetë e rëndësisë së vet. E di që duhet vetëm të fitojmë dhe nuk bëjmë kalkulime të tjera. Unë mendoj që kualitetin e kemi dhe duhet të jemi të qetë dhe duhet ta presim momentin e duhur.
– Etrit, Misteri në konferencën e kaluar tha që shpresojmë që në ndeshjen ndaj Kazakistanit, të arrijmë që rastet që kemi shpërdoruar në takimet e kaluara t’i kemi ruajtur për ndeshjen ndaj Kazakistanit. Ndërkohë që arritëm të fitonim. A mendoni që presioni për të arritur vendin e parë në grup, mund të kthehet edhe në një faktor penalizues?
– Ne e kemi kualitetin në ekip dhe kualiteti që kemi ne është më i lartë se të gjitha ekipet e tjera dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Nuk kemi asgjë për të kalkuluar, për barazim, apo gjëra të tjera. Duhet të futemi qetë dhe duhet të fitojmë lojën. Do luajmë edhe në shtëpi dhe të gjithë çunat janë të vetëdijshëm që duhet të japin maksimumin.

Më tej, ishte trajneri Reja, ai që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp.
– Kur fitohet, gjithmonë rezultati është mbi të gjitha dhe ndoshta gabimet eklipsohen. Vuri diçka re trajneri në ndeshjen ndaj Kazakistanit që nuk i pëlqeu?
– Rezultati sigurisht është i rëndësishëm sepse përmes rezultateve ne rritemi. Por gabimet gjithmonë i kemi analizuar edhe në ndeshjet e tjera kur duket sikur kemi luajtur mirë por sigurisht kemi bërë gabime, jo thjesht në fazën offensive por edhe në mënyrën se si ka luajtur skuadra. Ne kërkojmë të përmirësojmë çdo gjë pas çdo ndeshje kështu që është proces normal. Bëhet e vështirë për të pasur vështirësi në këtë moment kur duhet t’i japim mundësi karakteristikave të ndryshme të lojtarëve, apo lojtarëve të ndryshëm gjatë gjithë kohës. Në çdo ndeshje kemi qenë të ndryshuar të ndryshojmë skuadër dhe pavarësisht kësaj ne kemi arritur të kriojmë një concept për lojën tonë. Nuk kemi bërë ndeshje të jashtëzakonshme por kemi marrë rezultate të mira. Ne kishim si objektiv të fitonim një ndeshje të paktën ndaj Kazakistanit, në transfertë apo Lituanisë por kjo gjë nuk ndodhi. Por edhe atje bëmë disa gabime por gjithsesi ne tani e kemi shansin të arrijmë vendin e parë nëse mundim Bjellorusinë, sigurisht mund t’ia arrijmë objektivit. Sigurisht ndodh që të bëjmë edhe gabime, por ne do përpiqemi të eliminojmë çdo gabim të mundshëm në këtë fazë të edicionit.
– Për të qëndruar te ndryshimet, duke qenë se ndaj Kazakistanit u shpenzuan shumë energji, planifikoni ndryshime në formacion apo ndoshta do të jetë diçka e vogël?
– Kemi vetëm penalizimin e Abrashit, i cili është i skualifikuar dhe kandidati i mundshëm është Laçi i cili ishte i skualifikuar. Nuk mendoj të bëj ndryshime të mëdha për pjesën tjetër të skuadrës. Në fazën mbrojtëse kam 3 lojtarë që i kam të gatshëm, nuk ëhstë se do bëj shumë ndryshime, ndërsa në mesfushë do shikoj se si do rrjedhin gjërat dhe do marr një vendim pastaj se si do vendosemi në fushë. Të gjithë ndihen mirë, janë të rikuperuar dhe nuk kemi probleme, kështu që përsa i përket formacionit do vendosim nesër në mëngjes. E rëndësishme është që ata që do të zbresin në fushë të bëjnë më të mirën.
– Përballja me Bjellorusinë është ndeshje e këtij sezoni. Çfarë Shqipërie duhet për të arritur objektivin, pra rezultatin pozitiv?
– Nuk mund të bëj konsiderata për ndeshjet e kaluara. Kjo është një ndeshje e veçantë sepse është një finale. Flitet për tension dhe presion te lojtarëve. Sigurisht ne duhet të kemi presionin e duhur dhe jo të shqetësohemi. Duhet të jenë të qetë dhe mos të kenë presione të veçanta. Kemi siguri, kemi punuar mirë. Nuk duhet të ndjejnë peshën e përgjegjësisë. Duhet të kenë besimin e njerëzve dhe të stafit teknik, duhet të jenë të qetë. Presioni është pjesë e futbollit. Ne kemi cilësinë e duhur për të bërë një ndeshje të mirë. Presioni ndonjëherë të ndihmon edhe të përqëndrohesh. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Mos të bëjmë gabime, të nisemi me nxitim, duhet të kemi agresivitet, duhet të kemi ekuilibër. Ndeshjet zgjasin 90 minuta, nuk duhet të humbasim ekuilibrin sepse është një skuadër që mbyllet shumë mirë dhe ka një kundërsulm të shpejtë. Ne e kemi detyrë mos t’i japim këto lloj hapësirash, duhet të përdorim kokën në këto ndeshje, duhet të jemi të aftë të aftë të vlerësojmë në fushë se si do ta menaxhojmë ndeshjen, sipas situatave që do të krijohen. Janë ndeshje të veçanta nga pikëpamja taktike dhe efikasiteti. Nëse ruajmë ekuilibrin dhe bëjmë gjëra që dimë të bëjmë më mirë do bëjmë një paraqitje të mirë. Nëse nuk do kemi ekuilibër dhe rezultati do jetë i mirë.
¬- Në ndeshjen me Kazakistanin, shënuam tre gola. Megjithatë kjo nuk do të thotë që bëmë mjaftueshëm mirë në sulm sepse pati probleme edhe në repartin ofensiv. U pa që u shpërdoruan mjaft mundësi. Ka pasur kritika në këtë repart, që duhen marrë parasysh në ndeshjen me Bjellorusinë. Lojtarët që u treguan individualist, duke përmendur rastin e Manaj.
¬- Manaj u paraqit dy herë para portës, dy herë bëri një gjuajtje qëndrore. Jam dakord që krijuam raste por nuk i shfrytëzuam, nuk shënuam gol. Thashë edhe në fund të ndeshjes që nuk isha plotësisht i kënaqur me lojën që ne bëmë, por e patëm në kontroll ndeshjen gjatë gjithë kohës. Sigurisht morëm në konsideratë edhe vlerat e kundërshtarit, që nuk na krijoi shumë probleme. Prisnim që pas golit të dytë ne të kishim një ndeshje më të lehtë, më të kënaqshme, por sigurisht terreni na ka krijuar vështirësi, topi nuk të vjen siç duhet për shkak të terrenit. Për këtë arsye, duhet ngadalësuar ndonjëherë aksioni sepse topi nuk të vjen si duhet dhe kjo na krijon probleme te mënyra e të shprehurit në fushë. Nuk është se duhet të presim ndonjë ndeshje aq të mirë në aspektin teknik, por ai që ka rëndësi është rezultati, i cili është thelbësor në këtë ndeshje dhe këtë duhet ta arrijmë sepse kemi mundësi që ta arrijmë një rezultat të tillë, por duhet të përdorim kokën sepse duhet të jemi të qetë psikologjikisht.
– Meqënëse jemi te sulmi, do jetë edhe këtë herë dyshja Cikalleshi-Manaj? Cikalleshi i pyetur së fundmi është shprehur se ndihet mirë me Manaj.
– Ka shumë mundësi që reparti ofensiv të jetë i njëjtë, si me Kazakistanin. Kur bëj listën, marr zakonisht 5 sulmues. Cikalleshi dhe Balaj janë alternativat, luan njëri ose tjetri. Kemi Manaj ose Seferi në këtë rast, sepse duhet të bëj bashkë lojtarë me karakteristika të ndryshme. Kam provuar edhe Cikalleshin me Balaj ndonjëherë por janë lojtarë të ngjashëm dhe preferoj një që të sulmojë portën dhe një që të tërhiqet pas. Kur luan me dy sulmues nuk mund të luash me dy lojtarë të njëjtë. Kur je në presion dhe të duhet me doemos goli dhe do të shfrytëzosh goditje dënimi, sigurisht që mund të përdorësh dy lojtarë të njëjtë si Cikalleshi dhe Balaj. Por në fillim preferoj gjithmonë dy lojtarë të ndryshëm. Pak a shumë çiftet e sulmit janë krijuar dhe linja është kjo, dy lojtarë që plotësojnë njëri-tjetrin. Në bazë të karakteristikave, sigurisht që njëri lojtar ndihet mirë me njërin apo me tjetrin. Edhe kur ishte Sadiku nuk ndiheshin në sintoni të plotë me njëri-tjetrin gjatë lojës. Por Cikalleshi nuk duhet të luaj me Balaj apo me ndonjë tjetër, por është trajneri ai që merr vendime dhe që merr përgjegjësi mbi vete.
– Duket se çalojmë te mesfusha. Çfarë mund të bëjmë më mirë në këtë ndeshje me Bjellorusinë?
– Mesfusha është boshti i lojës. Nuk duhet të mendosh vetëm për të mdrojtur por edhe për të ndërtuar. Është e qartë se ne kemi pasur shumë ndryshime edhe për shkak të dëmtimeve, covidit jemi detyruar të ndryshojmë. Kemi lojtarë si Abrashi që nuk mund ta kemi në formacion. E njëjta gjë me Baren. Por këto lojtarë që kemi përfshirë në ndeshjet e fundit, sidomos të rinjtë, kanë bërë paraqitje të mira dhe kemi marrë rezultate të mira dhe interesante. Lojtarët e rinj kanë treguar karakter të fortë dhe pse kanë luajtur për herë të parë në kombëtare dhe sigurisht ke pak emocion brenda, duhen minuta por kanë bërë ndeshje të mirë dhe e kanë treguar veten si veteranë. Sigurisht nuk kemi punuar vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Përveç Broja-s kemi edhe Çokaj i cili është lojtar interesant por nuk ka pasur mundësi të luajë. Njëherë kishte dëmtime në kavilje, por besoj se edhe Çokaj do ketë mundësi në të ardhmen, do ketë minuta, që është mesfushor.
-Përse e ka lënë Broja grumbullimin? Si qëndron e vërteta?
-Do jetë gati Gjasula 100% në këtë ndeshje?
– Ishte i detyruar. Nuk bëri asnjëherë gjatë gjithë javës një stërvitje të plotë. Pësoi një dëmtim në fund të ndeshjes. Nesër do të bëjmë një përmbledhje të qartë të lojtarëve, presim përgjigje nga stafi mjekësor. Nuk mund të them tani, por nëse do të jetë mirë, do të luajë patjetër, por nëse nuk do të jetë mirë atëherë do të më duhet të bëj pa të.
– FSHF ka kërkuar që ndeshja të zhvendoset në “Elbasan Arena”. Është në dijeni të këtij fakti Misteri?
– Kur caktohen data dhe oraret e ndeshjeve bien të gjithë dakord. Ne shpresonim që të luanim në një fushë tjetër, për shkak të fushës. E di që është punuar për ta kthyer fushën në gjendje normale, por këto janë gjëra që ndodhin. Fusha mund të ketë probleme gjatë ndeshjeve. Fusha do të jetë e njëjtë për të dyja ekipet dhe kush do të jetë më i zoti do të fitojë.
-Çfarë i thatë Berishës për golin e pësuar?
– Lojtari ishte shumë i zoti dhe ajo gjuajtje ishte fantastike, të cilët e kishin përgatitur më parë kazakët. Një lojtar pra që bën atë goditje duhet të ketë edhe pak fat dhe sigurisht duhet t’i japim meritat edhe futbollistit. Sigurisht që portieri kur bën një gabim përpiqet që ta riparojë. Zakonisht gabimet e portierit komentohen në mënyrë të ekzagjeruar. Për rolin që kanë portierët, duhet t’i bëjnë ballë edhe kritikave ndonjëherë. Por Berisha është i fortë në aspektin e karakterit. Gabimet ndodhin nuk është se duhet komentuar 100 herë. Nuk janë gola që i shohim shpesh, janë gjëra të rralla. 80% të meritave e merr lojtari sepse bëri një gjuajtje perfekte. Askush nuk e kuptoi çfarë ndodhi në atë moment, edhe Berisha vetë nuk e kuptoi. Topi mori një trajektore të çuditshme dhe shkoi nga krahu tjetër. Gjuajtje perfekte.
– Shumë ndeshje, skuadra ka zhvilluar një ndeshje të mirë në anën taktike, por nuk ka arritur dot të shënojë. Rezultati i kësaj sfide, përcakton edhe të ardhmen tuaj?
– Sigurisht unë mbaroj këtë edicion dhe pastaj do të filloj një edicion tjetër. Nuk është çështje që më takon tani ta mendoj. Kemi një kontratë që e ka të përcaktuar kur mbaron. Janë gjëra që nuk varen nga unë. Unë jam këtu dhe përpiqem të jap maksimumin. Më pas do të jetë Federata ajo që do të nxjerrë konkluzione se çfarë kemi bërë tani. Programi vazhdon. Një ndeshje nuk mund të jetë vendimtare për të nxjerrë konkluzione për një edicion tjetër. Kjo është një pjesë që i takon Federatës.