Konferenca për mediat, Lenjani & Bajrami: Kemi vetëbesim, shkojmë për fitore në Hungari - FSHF

Konferenca për mediat, Lenjani & Bajrami: Kemi vetëbesim, shkojmë për fitore në Hungari

Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej ditës së djeshme grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kuadër të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Ditën e sotme, në një konferencë për mediat kanë dalë dy nga futbollistët e Kombëtares, Ermir Lenjani dhe Nedim Bajrami, të cilët kanë folur për këto ndeshje dhe për dy rivalët direktë në grup për vendin e dytë.

Fillimisht ishte Ermir Lenjani ai i cili iu përgjigj interesit të medieve, ku theksoi se fokusi kryesor është te forca e vetë ekipit, ndërsa u shpreh se skuadra fillimisht mendon vetëm ndeshjen ndaj Hungarisë. Mungesa e tifozëve në transfertën hungareze është një plus për kuqezinjtë sipas Lenjanit, i cili gjithashtu mendon se Kombëtarja aktuale është e mbushur me talente.

Rikthimi në Kombëtare – Jam gati për këto dy ndeshje që kemi dhe fizikisht kam pasur një lëndim të vogël, por tani ndihem shumë mirë.

Atmosfera në grup – Të gjithë ndihemi shumë të mirë e të lumtur me shokët. Tani mendojmë për ndeshjen me Hungarinë, pasi është shumë e rëndësishme për ne. Do fokusohemi më shumë të forca jonë dhe do shohim si do ecë loja.

A do të luaj? – Nuk e di, e vendos trajneri. Ta shohim këtë javë si ecën në stërvitje dhe se çfarë mendon, pasi është ai që vendos.

Tërheqja e Bashës nga futbolli? – Migjeni ka bërë një karrierë shumë të mirë dhe ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne të gjithë. I uroj gjithë të mirat.

Polonia?- Mendoj së pari të fokusohemi te Hungaria. Kemi kualitete të larta si lojtarë individualisht por edhe si ekip. Por siç e thashë, do fokusohemi te forcat tona, për të dhënë kualitetet që kemi dhe të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas mendojmë Poloninë.

Mungesa e tifozëve, favor për ne? – Hungaria i ka tifozët shumë të flaktë dhe stadiumi është i mbushur dhe mendoj që është shumë mirë për ne, por duhet të fokusohemi te vetja për të arritur qëllimin.

Kombëtarja më mirë tani? – Mendoj që tani i kemi shumë lojtarë me kualitet që luajnë në Europë, në shumë Liga të mira dhe në Champions League dhe mendoj që tani jemi shumë më të fortë.

Gol në ndeshjen e radhës?– Mendoj vetëm të jap gjithçka në fushë kur të hyj dhe shpresoj të kemi suksese.

Interesit të mediave iu përgjigj edhe mesfushori shqiptar i Empolit, Nedim Bajrami, i cili u shpreh se skuadra është e motivuar pasi në ndeshjet e fundit ka marrë dy fitore dhe gjatë kësaj javë do të përgatitet mirë. Ai foli edhe për diskutimet me trajnerin Reja si dhe objektivat e skuadrës për dy sfidat e radhës.

Të përgatitur për ndeshjen ndaj Hungarisë? – E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër Hungarisë dhe do të futemi në lojë me vetëbesim se i kemi fituar dy ndeshjet e fundit dhe duhet ta përgatisim lojën shumë mirë.

Presion për të fituar? – Kam bërë dy gola në Serie A dhe jam në formë dhe besoj se nuk kemi presion. Do futemi në ndeshje dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë.

Biseda me Rejën – Kam folur me trajnerin dhe më ka thënë që duhet të punoj me top, por edhe pa top.

Empoli? – Ndihem shumë mirë tek Empoli, jemi tre shqiptarë aty dhe shpresoj që edhe Asllani të futet në ekipin e parë me ne.

Numri i fanellës që do të mbajë në ndeshjet e radhës – Nuk ka rëndësi se çfarë numri vesh, por rëndësi ka për mua të japim maksimumin dhe të fitojmë të dyja ndeshjet.

Hungaria apo Polonia, cili ekip është më i fortë? –  Besoj se të dyja ekipet janë të forta, të dyja ndeshjet nisin 0-0 dhe i dimë kualitetet tona dhe duhet të përqëndrohemi te loja jonë.

Gol për Shqipërinë? – Në fund e vendos Reja se cili luan, por kur të futem në ndeshje do të jap maksimumin dhe shpresoj të shënoj.