Konferenca për shtyp, Sadiku: Objektivi, vetëm 3 pikët, Laçi: Mezi e prisja debutimin në Kombëtare - FSHF

Konferenca për shtyp, Sadiku: Objektivi, vetëm 3 pikët, Laçi: Mezi e prisja debutimin në Kombëtare

Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare të futbollit, sulmuesi Armando Sadiku dhe mesfushori Qazim Laçi kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp në prag dy ndeshjeve që ekipi ynë përfaqësues do të luajë në Nations League. Sadiku rikthehet pas një mungese në kombëtare dhe në përgjigjet e dhëna për gazetarët ka theksuar objektivat e ekipit për dy ndeshjet, arsyen e mungesave në grumbullimet e kaluara dhe ndjesinë që të jep rikthimi në kombëtare. Ndërkaq, mesfushori më i ri që i shtohet ekipit tonë kombëtar, Qazim Laçi ishte i emocionuar para gazetarëve dhe u shpreh se do të ishte kënaqësi nëse në njërën nga këto dy ndeshje do të debutonte me kombëtaren.
Shqipëria do të luajë në datën 4 shtator kundër Bjellorusisë në Minsk dhe tre ditë më vonë rikthehet të luajë ndaj Lituanisë në stadiumin kombëtar “Air Albania’, pa praninë e tifozëve.

– Armando, mirë se u riktheve. Çfarë ndjesi të jep që të jesh sërish me kombëtaren pas afro 15 muajve? Ka kaluar më tepër se një vit nga ndeshja e fundit që ke zhvilluar.
Si gjithmonë, ndihem shumë mirë. Është gjithmonë një kënaqësi shumë e madhe të veshësh bluzen e kombëtares dhe shpresoj të jap më të mirën, të ndihmoj ekipin në këto dy ndeshje.
– Si e gjete ambientin në kombëtare? Vijmë në një situatë të pazakontë, vetë ke qenë i dëmtuar, ke munguar për një kohë të gjatë, më pas erdhi pandemia, u ndërprenë të gjitha aktivitetet. Ti si e gjete ambientin, si do ta vlerësoje?
Ambienti është i njëjti, thjesht disa lojtarë të rinj që nuk i kisha takuar akoma. Ambienti është shumë i mirë, besoj që është një grup shumë i mirë lojtarësh edhe jam shumë i bindur që do të marrim maksimumin në këto dy ndeshje duke filluar që nga ndeshja e parë, të marrim 3 pikëshin dhe pastaj ndeshjen e dytë, sepse kualitetet brenda ekipit janë shumë të mirë.
– Nuk shënon që me ndeshjen me Andorrën. Sa të mungon ai gol me fanelën kuqezi se ti, çdo lojtar është i lidhur me fanelën kuqezi, por sulmuesi akoma edhe më shumë sepse lidhet menjëherë me golin dhe entuziazmin e golit.
Sulmuesi është për mua si ushqimi, goli, kështu që kur shënoj golin, e kam kryer detyrën time. Në ekipin kombëtar është akoma më e veçantë sepse është një ndjenjë që çdo futbollist do ta përjetojë, që të shënojë një herë me ekipin kombëtar. Do të mundohem këto dy ndeshje që të shënoj përsëri dhe të kthehem të goli dhe të ndihmoj ekipin që të arrijmë rezultate me këto dy ndeshje.

– Bjellorusi, Lituani- Bjellorusia nuk e di sa është analizuar, sa njohuri keni për kundërshtarin, por situata politike nuk është e mirë, kjo ndoshta mund të ketë ekip edhe në skuadër. Si i sheh dy përballjet me dy ekipe që, futbolli nuk luhet në letër por në letër janë të përballueshme për kombëtaren tonë?

Normal, ne duhet të shikojmë për ekipin tonë, duhet ta marrim ndeshjen shumë seriozisht që në minutat e para sepse ne mund të flasim që ato mund të jenë më të dobëta se ne në letër, por ditët e sotme nuk ka asnjë ekip të dobët. Kështu që ne do të mundohemi ta marrim sa më seriozisht ndeshjen për të arritur në objektivin tonë që janë vetëm tre pikët.
– Nëqoftëse deri më tani, sulmi ka qenë një repart i cili ne kishim pak alternativa, në sensin që ishit ju, ishte Balaj, ishte Cikalleshi, tashmë janë shtuar këto alternativa; është Kamberi, është Broja, si e sheh këtë konkurrencë të shtuar në repartin ofensiv? A beson që do të rikthehesh të marrësh fanelën e titullit?
Këtë gjë e vendos trajneri, unë do mundohem të jap më të mirën, kam bërë sezon shumë të mirë me Malagan, kam luajtur 36 ndeshje si asnjëherë në karrierën time dhe jam shumë i lumtur që u ktheva. Unë, dhe në grumbullimet e tjera që nuk jam thirrur, unë jam thirrur nga trajneri por për arsye familjare dhe njëherë për arsye dëmtimi nuk erdha. Nëse trajneri do të dojë të më fusë në lojë, unë do të jap më të mirën time për ekipin.

– Fitorja e fundit me Bjellorusinë, në vitin 2011, kanë qenë kualifikueset e botërorit. Shënues ishte Hamdi Salihi, Hamdiun tashmë e keni pjesë të stafit. Ju ka dhënë ndonjë orientim ju sulmuesve se si mund t’i shënohet këtij kundërshtari gol deçiziv? Besoj që edhe një gol mund të mjaftojë me ndeshjen me Bjellorusinë.

Hamdiu na ndihmon gjatë të gjithë kohës në stërvitje, dhe më përpara dhe tani. Por nuk kemi pasur shumë kohë të flasim sepse dita e parë sot, kështu që do të kemi kohën këto ditë që ta përgatisim ndeshjen më mirë që pse jo, të na tregojë ndonjë sekret, t’i shënojmë gol Bjellorusisë.
– Trajneri dhe Presidenti i Federatës kanë thënë që me këtë grup, kërkohet vetëm koka e grupit. E keni një lloj edhe objektivi apo edhe një lloj presioni sado i vogël që duhet të dilni në vend të parë në grupin ku jeni në short?
Siç e thashë edhe më përpara, në letra jemi pak si më favoritë se ekipet e tjera, por duhet ta marrim çdo ndeshje që nga fillimi shumë seriozisht sepse kualitetet i kemi në ekip. Duhet që të japim të gjithë maksimumin dhe i kemi të gjithë mundësitë që të dalim të parët në grup dhe të vazhdojmë më lart.

– Sezoni i ardhshëm i Sadikut?
Për momentin e mbylla kontratën me Levanten dhe jam lojtar i lirë, po shikoj me menaxherin tim dhe po shqyrtoj të gjithë ofertat që kam. Jam i përqëndruar tani për momentin në kombëtare, pas grumbullimit me kombëtaren do të shikoj dhe do të vendosim se ku do ta vazhdoj karrierën time më tej.

– Qazim, grumbullimi i parë në kombëtaren A. E njej kombëtaren kuqezi sepse ke qenë një nga elementet kryesorë në kombëtaren “Shpresa”, por tashmë besoj se ndryshon edhe situata. Ekipi A është ëndrra e të gjithëve por është edhe më tepër përgjegjësi dhe më tepër punë, është edhe më tepër konkurrencë. Çfarë pret nga ky grumbullim i parë?
Siç e the edhe ti, është një konkurrencë e madhe dhe për mua dhe për të gjithë lojtarët që jemi te kombëtarja sepse jemi shumë lojtarë që po luajmë në Europë dhe të gjithë lojtarët luftojmë për një vend. Unë e di, e njoh mirë ekipin sepse e kam shikuar dhe kam luajtur me shumë lojtarë tek ekipi i Shpresave.

– Shpresoni që në njërën prej këtyre dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve t ëarrish të debutosh me Kombëtaren A?
Sigurisht, do ishte një krenari e madhe për mua, pasi kam gjithë këto vite që po e pres, do ishte kënaqësi.

– Ke pasur një sezon por edhe më herët, shumë të mirë me Ajaçion, firmose edhe rinovimin e kontratës, gjithçka po ecën vërtetë mbarë në Francë. Vetëm pjesa që nuk u ngjitët dot për shkak edhe të pandemisë, ky ishte problemi. E ke një ekip në Francë ku dëshiron të luash? Sepse te Ajaçio e rinovove kontratën, ndoshta do të luash edhe në ligën e parë në të ardhmen. Por një ekip në Francë apo kudo që ke objektiv në Francë por edhe jashtë?
Ishte një gjë jo e mirë për ne sepse kishim shanse për t’u futur në kategori të parë, por Federata Franceze e anulloi kampionatin edhe nuk u ngjitëm.Objektivi është të luaj në kategori të parë pastaj çdo lojtar punon për të arritur sa më lart. Dhe unë si lojtar këtë kam objektiv, unë nuk shikoj ekipin, unë shikoj veten time për të arritur sa më lart.