Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s: Superkupa e Europës rikthen tifozët në stadium - FSHF

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s: Superkupa e Europës rikthen tifozët në stadium

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka marrë sot vendimin që Superkupa e UEFA-s të luhet me një numër të reduktuar tifozësh, deri në 30% të kapacitetit të stadiumit. Të gjitha ndeshjet e tjera do të vazhdojnë të luhen me dyer të mbyllura deri në një njoftim të dytë. Ndeshja që do të luhet mes FC Bayern Munich- Sevilla FC do të zhvillohet në datën 24 shtator në stadiumin e Budapestit

Komiteti Ekzekutiv i UEFA vendosi sot të lejojë që Superkupa e UEFA-s të luhet në Budapest, me një numër të reduktuar spekatorësh, deri në 30% të kapacitetit të stadiumit, më 24 shtator 2020, me qëllim që të studiohet saktësisht impakti i rikthimit të spektatorëve në bazë të protokollit të “Rikthimi në Lojë” që është përgatitur nga UEFA. Të gjitha ndeshjet e tjera do të vazhdojnë të luhen me dyer të mbyllura deri në një njoftim të mëtejshëm, siç është vendosur fillimisht nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s më 9 korrik 2020.

Administrata e UEFA-s do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të këshillojë Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s nëse do të kërkohet ndonjë ndryshim apo rekomandim në lidhje me Superkupën e UEFA-s dhe/ose vendimin që ndeshjet e UEFA-s të luhen me dyer të mbyllura deri në një njoftim të mëtejshëm. Këto vendime pasojnë takimin konsultativ që UEFA zhvilloi me 55 federatat anëtare më 19 gusht të 2020.

Duke komentuar vendimin e marrë nga Komiteti Ekzekutiv, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin u shpreh: “Ka qenë e rëndësishme të tregohet se futbolli mund të vazhdojë në kohë të vështira, pa tifozë, loja ka humbur diçka nga karakteri i saj. Ne shpresojmë ta përdorim Superkupën e UEFA-s në Budapest si një test që do të fillojë të shohë rikthimin e tifozëve në ndeshjet tona. Ne po punojmë ngushtë me Federatën Hungareze dhe qeverinë e saj që të marrim masa që të sigurojmë shëndetin e të gjithë atyre që presin dhe janë pjesëmarrës në lojë. Në nuk do të ndërmarrim risqe me sigurinë e njerëzve.”