Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi përcolli në një dalje publike sot përpara mediave edhe analizën e dy ndeshjeve të tij zyrtare me Sllovakinë, duke prekur në tërësi situatën në ekipin që ai drejton. Mungesa e shumë futbollistëve ishte një pjesë vendimtare në lidhje me paraqitjen e skuadrës në sfidat e fundit. Vetë Bushi për situatën aktuale të skuadrës deklaroi: “Në lidhje me dy ndeshjet me Sllovakinë, skuadra kishte jo pak mungesa, dhe që ndikuan shumë në forcën e grupit.
Mungesat e Selmanit, Dokës, Laçit, Bares, Abazajt dhe gjithë të tjerëve ndikuan jo pak sepse në total llogarisim 11 mungesa. Edhe Spanjës, nëse i heqim 3 lojtarë, do të ndikohet në lojën e saj. Duke bërë një analizë, djemtë duhet t’i motivojmë e ti mbështesim, pavarësisht se kanë humbur. Irlanda ka 12 pikë, por deri tani nuk ka ditur të mbajë topin. Sipas statistikave në lojë, ne kemi pasur një përqindje shumë më të lartë të qarkullimit të topit me ta. Por, na kanë dënuar gabimet individuale. Kemi bërë mirë deri tani, por na ka munguar edhe fati. Duam të mbajmë topin, ta qarkullojmë dhe i kemi realizuar të gjitha këto. Edhe kur kemi humbur topin, kemi arritur ta marrim sërish.
E vetmja ndeshje që ekipi nuk i realizoi të gjitha këto ishte kjo e fundit në Sllovaki. Nëse do të kishim lojtarë të ekipit A them se do të ishte rritur loja. Gjithashtu do desha të specifikoj edhe rastin pozitiv që lidhet me ekipin kombëtar A, ku Abazaj, Ramadani e Bare iu bashkangjitën. Dhe është një kënaqësi shumë e madhe, kur skuadra përfaqësuese e parë furnizohet me lojtarë nga ekipi U-21. Më i rëndësishëm mbetet ekipi kombëtar A. Të jeni të bindur që të njëjtën gjë do të bëja edhe unë, për të patur sa më shumë elementë nga skuadra e shpresave. Në lidhje me grupin vuajmë mungesën e stopera-ve, por mbi të gjitha do desha të them, që prej shumë vitesh nuk ndodh që skuadra A të ketë kaq afrime lojtarësh që janë kontigjent i skuadrës U-21. Këtu do të përfshija edhe Rei Manajn, që për mua është sulmuesi më i mirë. Sidoqoftë, në lidhje me eleminatoret e ardhëshme, kur do të vijnë lojtarë të datëlindjes 1998, kam bindjen se skuadra U-21 do të jetë pretendente për kualifikim, me këdo rival të ketë. Kjo, sepse kemi një kontigjent shumë të mirë lojtarësh të datëlindjes 1998”,- theksoi Bushi. Skuadra kombëtare U-21 përfundoi me dy humbje në ndeshjet zyrtare eleminatore me Sllovakinë, në Tiranë dhe në Zilina, teksa takimet e ardhshme do të jenë me skuadrën kombëtare U-21 të Spanjës.

















