KOMBËTARJA U-21 NIS GRUMBULLIMIN, SAHITI E KALLAKU PËRPARA MEDIAVE! - FSHF

KOMBËTARJA U-21 NIS GRUMBULLIMIN, SAHITI E KALLAKU PËRPARA MEDIAVE!

Njëherësh me ekipin kombëtar A të futbollit sot ka nisur përgatitjet e saj edhe skuadra përfaqësuese U-21 në Elbasan. Në daljen e planifikuar publike për sot ishin përpara mediave futbollistët Seiti dhe Kallaku. Trajneri Alban Bushi ka bërë pjesë të listës së tij për këto dy takime zyrtare me Sllovakine edhe Emir Sahitin që luan në Kroaci. Ky i fundit, në këtë konferencë për shtyp, para ndeshjeve me Sllovakinë, të organizuar nga FSHF-ja, theksoi: “Nuk do të pranoj asnjë ekip tjetër përveç Shqipërisë. As Maqedoninë, e as ndonjë ekip tjetër. Ndeshjet e radhës kundër Sllovakisë janë shumë të rëndësishme. Ne do të punojmë fort me trajnerin Alban Bushi dhe shpresojmë se do të arrijmë rezultatet që duhet. Kam besim se me këtë grup do t’ia dalim mbanë”, – u shpreh 19-vjeçari i Hajdukut të Splitit.

Në konferencë së bashku me Sahitin ishte dhe lojtari tjetër, Sherif Kallaku. Lojtari i Laçit tregoi emocionet e tij para ndeshjeve me Sllovakinë. “Janë dy ndeshje shumë të vështira. Duhet të arrijmë të marrim maksimumin, pasi synojmë vendin e dytë. Trajneri Alban Bushi është i qartë me atë që kërkon nga ne dhe ne duhet të aplikojmë lojën dhe skemat e tij”, – u shpreh ai ndër të tjera. Skuadra përfaqësuese nis seancat stërvitore nesër me dy të tilla të programuara teksa në orën 12 të së martës do të dalin dy futbollistë të tjerë përpara mediave. Ndeshja do të luhet ditën e premte në orën 17.20 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Hyrja do të jetë e lirë.


Duke kontrolluar karten...