KOMBËTARJA U-21 E PAFATË, TRAJNERI BUSHI: "PO RRITEMI, KEMI QENË ME FATIN KUNDËR!" - FSHF

KOMBËTARJA U-21 E PAFATË, TRAJNERI BUSHI: “PO RRITEMI, KEMI QENË ME FATIN KUNDËR!”

Sërish pa fat, dhe të ndëshkuar në fund. Një pakujdesi në fund të ndeshjes dhe skuadra kombëtare U-21 nuk arrin të administrojë dot avantazhin e Ramadanit me atë supergol, dhe mbyll ndeshjen zyrtare eleminatore me Irlandën e Veriut luajtur në “Selman Stërmasi”, në barazim 1-1. Shënon me një goditje në minutën e 83-të të ndeshjes Ramadani për ekipin tonë kombëtar, ndërsa barazon në fund Laveri për irlandezo-veriorët pas një mosrakordimi në mbrojtje. Një takim që u ndoq nga jo pak sportdashës në një kohë që Bushi dhe skuadra e tij kërkuan më cdo kusht të arrinin të shkonin te goli. E gjetën atë, por në fund, sikundër ka ndodhur shpesh në takimet e radhës, skuadra kombëtare shqiptare e Shpresave pëson golin, falë mos një përqëndrimi në zonë. Përfundimisht 1-1 dhe ekipi nuk arrin dot të marrë një fitore në fushën e tij. Për këtë ndeshje vetë trajneri i ekipit kombëtar të U-21, Alban Bushi theksoi: “Në radhë të parë më duhet të falenderoj fort djemtë e skuadrës pasi kanë dhënë më të mirën e tyre. Kemi prodhuar lojë, jo vetëm në këtë takmim, por edhe në ndeshjet e tjera. Të mos harrojmë këtu edhe faktin që luanim kundër një moshe me 2 vjet më sipër si datëlindje. Mund të them me bindje që kemi qenë një ekip me lojë, por pa fat në këto takime. Sidoqoftë është një skuadër shumë e mirë dhe me elementë shumë të mirë, mjaft premtues edhe për ekipin kombëtar A. Do punojmë fort për ndeshjet e radhës, duke qenë shumë të koncentruar në administrimin e avantazhit, por edhe në aspektin difensiv. Po rritemi, po bëjmë lojën që duam, dhe në këtë linjë mendoj se rezultatet do të vijnë”,- theksoi Bushi. Pas përfundimit të kësaj ndeshjeje, Shqipëria mban vendin e katërt në grupin e saj me 6 pikë të arritura. Tashmë pas ndeshjes zyrtare eleminatore, trajneri Alban Bushi do të ketë edhe një miqësore në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë, por me kombëtaren U-20, për të cilën ka një grup futbollistësh që do i bashkohen listës së tij, dhe që janë një projeksion i trajnerit për të kaluar më pas në kombëtaren U-21. Kjo, në varësi të një strategjie të gjërë të FSHF me ekipet kombëtare, ku janë krijuar edhe kombëtaret U-16 (Mustedanagic trajner), U-18 (Bogdani) dhe U-20 (Bushi).