KOMBËTARJA U-17/ NIS GRUMBULLIMI PËR MERCEDES BENZ CUP, BEQIRI SHPALL LISTËN E LOJTARËVE! - FSHF

KOMBËTARJA U-17/ NIS GRUMBULLIMI PËR MERCEDES BENZ CUP, BEQIRI SHPALL LISTËN E LOJTARËVE!

U zhvillua sot në ambientet e FSHF-së konferenca për shtyp e trajnerit të kombëtares U-17 Elvin Beqiri. Përfaqësuesja e kësaj moshe është grumbulluar në kompleksin Tropikal, në qytetin e Durrësit, për tu stërvitur dhe testuar në prag të pjesëmarrjes në Mercedes Benz Aegean Cup International Youth Tournament , kompeticion që organizohet nga Federata Turke e Futbollit dhe zhvillohet në Altinordu nga data 13 deri në 20 janar 2019.
Në këtë kompeticion marrin pjesë 8 skuadra Kombëtare të ndara në dy grupe. Shqipëria U-17 bën pjesë në grupin B sëbashku me Spanjën, Rusinë dhe Maqedoninë. Në grupin A bën pjesë Turqia, Anglia, Azerbajxhani dhe Moldavia. Ndeshjet zhvillohen në 14, 15 dhe 17 Janar.
Në fjalën e tij trajneri Beqiri theksoi se ky kompeticion si edhe grumbullimet e tjera që do të zhvillohen gjatë këtij viti, do ta ndihmojnë atë për të përcaktuar grupin e lojtarëve që do të jenë edhe baza për kombëtaren e kësaj. “Të punosh me moshat nuk është diçka e lehtë, brezat janë të ndryshëm, brezi i datëlindjes 2003 shpresojmë që të jetë një brez i mirë. Ne kemi parë shumë element gjatë seleksionimeve dhe jemi munduar të përzgjedhim më cilësorët si për datëlindjen 2003 ashtu edhe për 2004. Jemi me fat që kemi dy turne përgatitor, një tani në Turqi dhe një tjetër në muajin mars në Maltë, ku ne do të na jepet mundësia të shikojmë me kujdes elementët e grumbulluar, dhe duke qenë se kemi përballje me ekipe të forta, këtu mund të dallojmë cilësitë e tyre. Këto dy turne do na japin mundësi të gjejmë elementët më të mirë për të përballuar me sukses eliminatoret që kemi në muajin nëntor. Rruga është e gjatë deri në nëntor dhe ne do të punojmë për të bërë grupin më të mirë të lojtarëve, që të furnizojnë ekipet kombëtare. Këtë vit do të organizojmë pothuajse çdo dy javë ndeshje kontrolli me lojtarët e talentuar që luajnë në Shqipëri, për ti vëzhguar sa më mirë në mënyrë periodike, për të parë progresin në vazhdimësi. Fokusi jonë do të jetë tek lojtarët që luajnë në Shqipëri. Padiskutim që do të ndjekim me kujdes edhe elementët që luajnë jashtë, por është më e vështirë për shkak të disponibilitetit që ata kanë për shkak se luajnë në klube jashtë dhe mund ti bashkohen skuadrës vetëm për turne ose ndeshje miqësore që janë të planifikuara. Kombëtarja U-17 është më e sukseshmja sepse ka kaluar dy herë në Elite Raund brenda një kohe të shkurtër, kështu që edhe përgjegjësia ime dhe e stafit tim është shumë e madhe, me synimin për të kaluar në Elite Raund, kuptohet që nuk është diçka e lehtë, aq më shumë duke parë që kemi një grup të vështirë, por ne do të bëjmë më të mirën që të arrijmë në fazën tjetër”, theksoi Elvin Beqiri.