KOMBËTARJA U-15 NIS GRUMBULLIMIN PËR DY NDESHJET MIQËSORE NË KROACI, JA LISTA E LOJTARËVE! - FSHF

KOMBËTARJA U-15 NIS GRUMBULLIMIN PËR DY NDESHJET MIQËSORE NË KROACI, JA LISTA E LOJTARËVE!

Kombëtarja e U-15 ka nisur sot në Elbasan grumbullimin e saj në vigjilje të dy ndeshjeve miqësore të programuara për tu luajtur më 23 dhe 25 korrik me ekipin kombëtar të Kroacisë të po kësaj moshe. Për tre ditë skuadra e drejtuar nga Memushaj do të grumbullohet në hotel “Univers” në Elbasan ku dhe do të stërvitet, teksa në datë 21 do të niset drejt Kroacisë. Në këtë listë, trajneri Memushaj ka grumbulluar 22 lojtarë, ku 14 prej tyre vijnë nga ekipet e kampionatit shqiptar të kësaj moshe. Ndërkaq, janë edhe dy lojtarë të U-15 që janë thërritur në këtë kombëtare dhe që bëjnë pjesë e skuadrave zinxhir të klubeve të mëdha, si Endri Çelaj që vjen nga radhët e PSG, apo Johnny Prenga që luan me këtë moshë te Juventusi. Për këtë grumbullim, trajneri i skuadrës përfaqësuese të U-15, Eqerem Memushaj për faqen zyrtare të FSHF-së, theksoi:
“Një grumbullim dhe dy ndeshje që na shërbejnë shumë. Gjatë gjithë kësaj kohe, së bashku me stafin kemi parë lojtarë të kësaj moshe. Janë dy takime ku do të kërkojmë të bajmë maksimalen tonë në fushë. Por, mbi të gjitha do jenë dy teste që do të na japin një ide shumë më të mirë për të gjithë performancën e kësaj skuadre në secilin sektor”. Më poshtë, edhe programi i ndeshjeve miqësore të U-15 në Kroaci:
• Kroaci vs Shqiperi date 23 Korrik ora 18:00 ne Duga Resa
• Kroaci vs Shqiperi date 25 Korrik ora 10:00 ne Karlovac