KOMBËTARJA/ TRAJNERI PANUCCI PËRPARA GAZETARËVE: “ME KËTË GRUP MUND TË SHKOJMË TË FITOJMË NË IZRAEL” - FSHF

KOMBËTARJA/ TRAJNERI PANUCCI PËRPARA GAZETARËVE: “ME KËTË GRUP MUND TË SHKOJMË TË FITOJMË NË IZRAEL”

“Eshtë shumë e rëndësishme për mua të rikuperoj lojtarët që kemi, sepse ne nuk jemi as Brazili, as Franca, por jemi një skuadër e cila kur është e plotë mund të bëjë shumë, siç edhe ka bërë. Unë jam i bindur te këta djem, dhe me këta 23 futbollistë që kam grumbulluar mund të shkojmë e të fitojmë në Izrael”,- deklaroi ndër të tjera trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, mister Christian Panucci në daljen e tij publike sot nga rezort “Tropical” në vigjilje të grumbullimit të skuadrës përfaqësuese, në prag të sfidave me Jordaninë (miqësore, 10 tetor në Elbasan), dhe Izraelin (zyrtare, 14 tetor në Ber Sheva). Sipas teknikut të skuadrës kuqezi, ai mendon që ndeshja miqësore me Jordaninë do ti shërbejë për ti dhënë disa minuta futbollistëve që nuk kanë mundur ti kenë së fundmi me ekipet e tyre, ku dhe aktivizohen. “Është shumë e rëndësishme për mua, që t’iu jap minutat e duhura, lojtarëve që iu mungojnë atyre aktualisht. Djimsiti do të ketë minuta, Mavrajt i duhen minuta, Grezdës gjithashtu, si edhe Binakut, pasi së fundmi nuk janë aktivizuar shumë dhe ndaj Jordanisë mund të luajnë, 45, ose 60 minuta, këtë do e vlerësojmë në vazhdimësi. Këtë miqësore gjithsesi duhet ta fitojmë. Kam një plan specifik, por në mungesë të Roshit e Sadikut, kemi rikuperuar Mavrajn dhe Grezdën, që nuk i kanë minutat, por janë lojtarë shumë të rëndësishëm. Ndaj Izraelit do të jetë një skuadër shumë e mbledhur, por duhet të luajmë me zemër në fushë, dhe me zjarrin brenda, një gjë që na mungoi në Skoci. Po kaq e rëndësishme është që disa prej lojtarëve (jo të gjithë) më duhet të ma dëshmojnë se çfarë do të thotë të jesh në ekipin Kombëtar. Për mua ekipi Kombëtar është maksimalja. Rrini të qetë. Unë mendoj dhe punoj  24 orë në 24 për këtë ekip, dhe mbi të gjitha e respektoj shumë Shqipërinë”,- iu përgjigj trajneri interesit të medias prezente në këtë dalje publike. Seancat stërvitore të skuadrës nisin ditën e hënë në orën 16.30 në “Tropical” në Durrës.