KOMBËTARJA, TRAJNERI CHRISTIAN PANUCCI: “TË FOKUSUAR TË MUNDIM NORVEGJINË!” - FSHF

KOMBËTARJA, TRAJNERI CHRISTIAN PANUCCI: “TË FOKUSUAR TË MUNDIM NORVEGJINË!”

Skuadra përfaqësuese shqiptare e futbollit pas seancës së paraditës në “Tropikal” ku trajneri u ndal gjatë te ana taktike me ekipin, vijoi me programin e saj mediatik. Si përherë, përpara çdo ndeshjeje këtë të djelë përpara mediave dolën trajneri i skuadrës Christian Panucci, së bashku me kapitenin e skuadrës për këtë miqësore, Odise Roshi. Tekniku iu përgjigj interesit të mediave, duke theksuar faktin se skuadra është gati për këtë ndeshje: “Mund t’ju them që skuadra ka punuar mirë gjatë këtyre ditëve, ka punuar seriozisht. Është një moment delikat i sezonit, ku lojtarët largohen nga ekipi i tyre dhe vijnë me Kombëtaret. Për momentin, jemi të fokusuar vetëm të mundim Norvegjinë, siç bëmë edhe me Turqinë. Është e sigurtë që për të ardhmen, kam një ide timen, edhe për ndeshjet e qershorit. Për sa i përket formacionit, kam dyshimet e mia, në vende të ndryshme. Nga ana tjetër kemi lojtarë që sapo kanë nisur sezonin. Ka edhe nga ata që nuk kanë luajtur ende. Mbi të gjitha, pres nga ata që janë aktivizuar pak me klubet e tyre, dhe i jap besimin tim. Në lidhje me sulmin kam alternativat me Balajn, Sadikun dhe Cikalleshin. Edhe për balotazhin Aliji-Lenjani në krah, por për këto do të vendos në darkë. Do të luajë nesër me Norvegjinë Ramadani, i cili ka stofin e një lojtari lider, ka personalitet. Në lidhje me lojtarët e tjerë të rinj, do të shoh gjatë lojës, pasi kam në dispozicion edhe gjashtë ndërrime. Në përgjithësi ju garantoj që, që kur kam marrë drejtimin e kombëtares, skuadra është edhe më e fortë. Nuk do të qëndroj mbrapa në lojë, sepse kam edhe lojtarët për të sulmuar. Natyrisht do sulmojmë. Në lidhje me portën, kundër Norvegjisë do të luajë Strakosha, dhe këtë e kisha vendosur më parë, teksa në dy miqësoret e majit secili prej tyre do të luajë nga një ndeshje”,- theksoi trajneri Panucci përpara gazetarëve.

Sipas rregullit vënë nga tekniku, për më shumë prezenca në fushë, kapiten i ekipit kombëtar për sfidën e nesërme do të jetë Odise Roshi, i cili theksoi: “Nuk jam i surprizuar, për mua është krenari të jem kapiteni. Këtu është vënë një rregull, kush ka më shumë ndeshje, do të jetë kapiteni i ekipit Kombëtar. Jemi një grup shumë i mirë për momentin. Norvegjia ka një ekip simpatik. Ka lojtarë agresivë dhe që sulmojnë. Por, edhe ambienti ynë është shumë i mirë. Duhet të japim 100% nesër. Duhet të tregojmë një forcë të madhe. Për mua gjithmonë më mirë është loja e sulmit. Të fitosh, duhet të mbrohesh, e më pas edhe të sulmosh. Elementet e rinj të ardhur në skuadër, kanë kualitet shumë dhe kjo shton konkurencën e cila na shërben”,- theksoi Roshi.

Skuadra me stërvitjen e sotme të paradites ka mbyllur edhe seancat përgatitore në “Tropikal” dhe këtë pasdite niset drejt Elbasanit.