Kombëtarja stërvitet pas Kazakistanit, Abrashi ende në dyshim për Lituaninë - FSHF

Kombëtarja stërvitet pas Kazakistanit, Abrashi ende në dyshim për Lituaninë

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore një ditë pas ndeshjes me Kazakistanin. Nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja të gjithë lojtarët që nuk u aktivizuan zbritën në fushën e blertë.

Ndërsa lojtarët që ishin titullarë ndaj Kazakistanit nuk morën pjesë në këtë seancë, që u zhvillua në qendrën stërvitore të klubit kazak FC Kairat. Stërvitja zgjati rreth një orë dhe lojtarët u impenjuan vetëm në ushtrime me topin, pa ngarkesa fizike.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se gjendja e futbollistëve është e mirë dhe nuk ka probleme fizike me përjashtim të Amir Abrashit, i cili pësoi një dëmtim në kavilje gjatë ndeshjes së të dielës dhe u zëvendësua.

Mesfushori është nën vëzhgimin e stafit mjekësor dhe mbetet ende në dyshim për duelin e radhës ndaj Lituanisë. Vendimi do të merret në stërvitjen zyrtare para duelit të së mërkurës.