KOMBËTARJA, HYSAJ E BALAJ PËRPARA MEDIAVE: "KJO SKUADËR PO RRITET, KONKURENCA SHËRBEN" - FSHF

KOMBËTARJA, HYSAJ E BALAJ PËRPARA MEDIAVE: “KJO SKUADËR PO RRITET, KONKURENCA SHËRBEN”

Skuadra përfaqësuese e Shqipërisë vijon përgatitjet e saj në “Tropical” në vigjilje të ndeshjes së ditës së hënë në “Elbasan Arena” me Norvegjinë, në orën 19.00. Përpara mediave, sot ishin futbollistët Elseid Hysaj dhe Bekim Balaj. Hyrjet e reja dhe motivimi i vazhdueshëm janë faktorë pozitivë në këtë skuadër theksoi mbrojtësi Hysaj, teksa shtoi: “Është një ndeshje e rëndësishme për ne. Norvegjia është një skuadër e fortë dhe është një provë mjaft e mirë. E pamë të gjithë, çfarë bëri dje në takimin miqësor. Përveç Europianit, ndeshja e parë që kam bërë ka qenë pikërisht në Norvegji, ku ishte një emocion mjaft i madh, pasi ishte dhe debutimi im me fanellën e Kombëtares. Tani po vazhdoj po luaj çdo herë me Kombëtaren. Dhe kjo është një diçka shumë pozitive. Edhe në lidhje me hyrjet e reja në kombëtare, mendoj se kemi element me cilësi shumë të mira që do të ambjentohen shpejt. Kjo bën mirë, pasi rrit konkurencën dhe kjo e fundit shërben jo pak. Jemi një skuadër që po rritemi dhe kjo ndeshje na shërben ndër të tjera dhe pikërisht për të vlerësuar se ku jemi. Çështja e shiritit të kapitenit nuk ka qenë aspak ndonjëherë problem për mua. Natyrisht çdo lojtar e do shiritin. Është vlerësim i madh. Për mua mjafton që të luaj gjithmonë të bëj punën time. Në qoftë se do të vijë dita për të marrë atë shirit do të jem shumë i kënaqur”,- theksoi Hysaj. Nga ana e tij, sulmuesi i rikthyer në kombëtare pas dëmtimit, Bekim Balaj citoi: “Është një mungesë e gjatë që i kaloi parashikimet e mia, por tani jam sërish këtu. Është një vlerësim maksimal rikthimi në Kombëtare. Po ndihem mirë dhe po arrij formën time më të mirë. Shpresoj të jap më të mirën në këtë ndeshje.

Unë jam i gatshëm të jap më të mirën për aq sa të më jepet mundësia. Për ne sulmuesit është e rëndësishme që gjithsecili nga ne të jap më të mirën. Për mënyrën si do luajmë është profesori që vendos. Në ekipin kombëtar asnjë nga ne nuk i konsideron miqësoret si sfida miqësore, pasi angazhimi dhe përgatitja është njësoj si në sfida zyrtare. Ndoshta është një karikim më shumë për gjithsecilin nga ne që ti jepet mundësi dhe të japë maksimumin”,- deklaroi sulmuesi shkodran.

Kombëtarja do të vijojë programin e saj me stërvitjen e pasdites, teksa ditën e djelë do të dalë në konferencë për shtyp, trajneri Christian Panucci, së bashku me kapitenin e skuadrës për miqësoren me Norvegjinë.