KOMBËTARJA HUMBET MIQËSOREN ME NORVEGJINË PANUCCI: “GJENDJA FIZIKE BËRI DIFERENCËN”

Kombëtarja shqiptare e futbollit e drejtuar nga trajneri Christian Panucci ka humbur me rezultatin minimal, Shqipëria 0-1 Norvegjia, në miqësoren e luajtur sonte në mbrëmje në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Shqipëria luajti me këtë formacion:Thomas Strakosha, Mergim Mavraj, Arlind Ajeti, Elseid Hysaj, Naser Aliji, Taulant Xhaka, Kamer Qaka, Ylber Ramadani, Odise Roshi(C), Eros Grezda, Armando Sadiku.

Në pjesën e parë ndeshja përfundoi me rrjeta të paprekura. Kamer Qaka dëmtohet në fundin e pjesës së parë dhe largohet për t’i lënë vendin debutuesit, Keidi Bare.

Në pjesën e dytë trajneri Panucci tenton të freskojë skuadrën, duke hedhur në fushë një tjetër debutues, Bujar Likën, por edhe Bekim Balën e Andi Lilën. Gjithsesi, në momentin më të mirë të kuqezinjve, është Norvegjia që gjen golin e avantazhit, nëpërmjet anës së saj më të fortë, goditjes standarde. Një krosim nga këndi, goditet nga Rosted, që e dërgon topin në rrjetën e Strakoshës në minutën e 70-të.

Kuqezinjtë tentojnë të reagojnë, por disa gjuajtje nga distanca nuk e kërcënojnë aspak portierin e Norvegjisë. Trajneri Panucci u shpreh: “E ndërruam 2 herë modulin e lojes, por herën e dytë për t’u bërë më të rrezikshëm. Gjithsesi, kemi bërë shumë pak për të fituar ndeshjen. Besoj se në këtë moment shumë lojtarë nuk janë mirë fizikisht dhe kjo u pa. Norvegjia bëri diferencë vetëm në aspektin fizik, pasi na dominoi.”