Pas ndeshjes së zhvilluar në “Loro Borici” me Poloninë, kombëtarja e femrave ka udhëtuar drejt Zvicrës ku sot do të luajë në orën 19.00 ndeshjen zyrtare eleminatore të radhës me një skuadër shumë të fortë dhe me potenciale të mjaftueshme për të shkuar larg edhe në fazen finale, pikërisht me Zvicrën. Trajneri Armir Grima ka kërkuar një angazhim të kujdesshëm të skuadrës teksa ka punuar këto ditë shumë në aspektin difensiv. Zvicra ndeshjen e parë në Elbasan fitoi me rezultatin 4:1. Ndeshja do të luhet sonte në oren 19.00 në “Tissot Arena” në Biel-Bienne të Zvicrës. Për këtë takim trajneri Armir Grima u shpreh: “Luajmë përballë një kundërshtari si Zvicra shumë i fortë dhe me pika shumë të forta në fushë. Do tentojmë gjatë gjithë ndeshjes të mbyllim hapësirat dhe të frenojmë në mesfushë ofensivat. Njohim potencialet e kësaj skuadre, por ne do të luajmë lojën tonë pa asnjë frikë dhe me kurajon e madhe për të dalë me rezultat pozitiv”. Ndeshja do të gjykohet nga një treshe arbitrash nga Sllovakia.

















