Pas seleksionimeve vitin e kaluar, kombëtaret rajonale të moshave kanë nisur menjëherë punën e tyre. Në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier e Korçë skuadrat përfaqësuese rajonale kanë zhvilluar edhe raundin e parë të fazës trajnuese, pas përzgjedhjes së bërë në fundvitin e kaluar. Në Tiranë në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz u zhvillua stërvitja e parë me ekipet përfaqësuese të Zyrës Rajonale Tiranë për moshat përkatëse sipas datëlindjeve:
U-13 (2006); U-15 (2004), si dhe U-17 (2002).
Kështu, në Durrës, janë grumbulluar dhe kanë nisur stërvitjen futbollistët e ekipit kombëtar rajonal të moshës U-13, skuadrës së moshës U-15 dhe asaj të moshës U-17. Të gjithë lojtarëve iu shpërnda baza materiale e dhënë nga FSHF, teksa stafi teknik në bazë të një programi të dedikuar nga zyra përkatëse në FSHF realizoi edhe pjesën stërvitore.
Në Elbasan nisën gjithashtu stërvitjet e tyre me këto mosha ekipet përfaqësuese të rajonit të Elbasanit në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”. Stërvitjet u zhvilluan duke ndjekur programin e akorduar nga drejtoria teknike e FSHF. Tek futbollistët e këtyre seleksioneve rajonale dallohej një entuziazëm më vete. Në këtë kompleks realizuan stërvitjet e tyre: Ekipi përfaqësues U-13 i datëlindjes 2006, skuadra përfaqësuese U-15 e datëlindjes 2004, si edhe ekipi përfaqësues rajonal U-17 i datëlindjes 2002. Të gjithë këta fëmijë janë seleksionuar vitin e kaluar nga një staf teknik i FSHF-së dhe tashmë janë pjesë e përfaqësueseve rajonale.


















