KE i FFK-së viziton Shtëpinë e Futbollit & stadiumin “Air Albania”. Duka: Së shpejti, projekte të përbashkëta - FSHF

KE i FFK-së viziton Shtëpinë e Futbollit & stadiumin “Air Albania”. Duka: Së shpejti, projekte të përbashkëta

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës zhvilloi sot një vizitë në Shqipëri, ku fillimisht u ndal në Shtëpinë e Futbollit. Delegacioni kosovar i kryesuar nga Presidenti i FFK-së, Agim Ademi u prit në një takim nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe anëtarët e KE-së së FSHF-së. Pas takimit miqtë nga Kosova vizituan ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe u njohën me detajet e projektit.

Më pas, anëtarët e KE-së së FFK-së zhvilluan një vizitë në stadiumin “Air Albania”, një nga veprat më madhore të infrastrukturës sportive në Shqipëri i inauguruar rreth një vit më parë.
Në përfundim të kësaj vizite, Presidenti Duka, duke folur për mediat e pranishme tha se me homologët kosovarë u diskutua për marrëveshje të ndryshme bashkëpunimi mes dy federatave, por pandemia ka sjellë vështirësi të mëdha në këtë drejtim duke penguar shumë iniciativa.

“Jam i gëzuar që prita Presidentin e Federatës së Kosovës sot në Shqipëri, në zyrat e Federatës dhe në stadium, gjithashtu dhe të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kjo ishte një vizitë e programuar, megjithëse kjo nuk është një ditë shumë e bukur për ne shqiptarët në përgjithësi, për ngjarjet që kanë ndodhur dje, për disa nga drejtuesit e UÇK-së, të cilët kanë shkuar për të dëshmuar para drejtësisë në Hagë. Por gjithsesi, jeta vazhdon, kjo ishte një vizitë e programuar dhe edhe njëherë e përsëris që unë jam i gëzuar që ne jemi bashkë sot këtu, jo vetëm për të vizituar por edhe për të shkëmbyer eksperienca, mes Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ne kemi disa projekte të përbashkëta, kemi disa programe të përbashkëta, të nivelit menaxherial, domethënë të bashkëpunimit për menaxhimin e dy federatave; të nivelit të përgatitjes së trajnerëve, arbitrave, apo të specialistëve të tjerë të futbollit. Gjithashtu, projekti ynë më madhor ishte organizimi i një Kupe të përbashkët, ‘Nënë Tereza’, për të gjithë ekipet shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, por që nuk u kurorëzua këtë vit për arsye të Covid-it dhe projekti vazhdon.
Ne vazhdojmë të insistojmë dhe është një nga objektivat tanë dhe të Federatës së Kosovës që ta realizojmë atë projekt dhe për të vazhduar me më shumë bashkëpunime. Një aktivitet tjetër bashkëpunimi është dhe ndeshja që ne do të zhvillojmë mes dy ekipeve tona përfaqësuese për t’u përgatitur për ndeshjet zyrtare të të dyja skuadrave që uroj të kenë rezultat sa më pozitiv dhe të na çojnë sa më lart në klasifikim”, tha Presidenti Duka, teksa bëri edhe një koment për ndeshjen miqësore të 11 nëntorit Shqipëri-Kosovë .
“Futbolli është lojë dhe në një lojë dhe gjithkush ka dëshirë të marrë një rezultat pozitiv. Unë uroj për të dy ekipet, për të dy stafet që ajo të jetë një lojë, një vëllazërore që t’i shërbejë lojës dhe jo një vëllazërore për t’u numëruar. T’i shërbejë stafeve, t’i shërbejë futbollistëve, t’i shërbejë përgatitjes së tyre për ndeshjet zyrtare”, – u shpreh kreu i qeverisë së futbollit.

Më tej, presidenti i FSHF-së foli për mundësitë e lejimit të tifozëve në stadium, përgjigjen e ardhur nga autoritet e shëndetësore si edhe për reagimin e qeverisë ndaj kërkesave të Ligës Profesioniste të Futbollit.
“Në fakt, ne i kemi kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë lejimin e pjesshëm të tifozëve në stadium, por kemi marrë përgjigje negative. Kemi vazhduar të insistojmë edhe në Kryeministri, jo vetëm në Ministri. Duke parë nivelin e grafikut në rritje të numrit të të infektuarve, duket një gjë e vështirë. Megjithatë ne urojmë që të kemi ditë më të mira dhe të kemi prani 20 apo 30% të spektatorëve në dy ndeshjet zyrtare.
Reagimi i qeverisë ndaj kërkesave të klubeve? Nuk është se kemi pasur ndonjë gjë konkrete brenda kësaj jave, por unë besoj që brenda këtij viti, ne të kemi marrë përgjigje pozitive apo të kemi realizuar objektivat e atyre kërkesave që kemi pasur”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Prononcimi i Ademit – Ndërsa, Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, vlerësoi investimet madhore që janë realizuar në futbollin shqiptar me iniciativën e Federatës Shqiptare të Futbollit, si edhe falënderoi Presidentin Duka për mbështetjen e tij në rrafshin ndërkombëtar.
“Në fakt jemi të nderuar që jemi sot prezentë këtu dhe që jemi pritur nga Presidenti Duka dhe Komiteti Ekzekutiv për t’i parë këto objekte të mrekullueshme. Tani mund të them lirisht, sepse kemi vizituar në të gjithë Ballkanin dhe janë dy objekte, si zyrat e Federatës ashtu edhe Air Albania, të cilat janë të nivelit më të lartë të duhur. Rastisi që kjo ditë të jetë në ditën kur Kosova është në ditë shumë të vështirë, pasi kanë marrë disa udhëheqës të UÇK-së, po ashtu edhe të shtetit tonë. Por ne jemi me ta dhe besojmë në drejtësinë e tyre, në pastërtinë e tyre dhe sigurisht që do të dalin faqebardhë dhe nga kjo sfidë që po i bëhet Kosovës vazhdimisht në aspektin politik. Sa i përket aspektit sportiv, ne më shumë jemi këtu, përveç vizitës që të bëjmë, ta falënderojmë dhe presidentin Duka, i cili ka qenë një promotor i pranimit të Kosovës dhe kemi bërë shumë vizita dhe lobime që si të thuash na ka tërhequr presidenti Duka, presidentin e ndjerë, Fadil Vokrri dhe disa prej nesh që kemi bërë lobime të mëdha dhe sigurisht, pjesa e tij është shumë e rëndësishme në pranimin e futbollit në UEFA dhe FIFA. Jemi shumë të nderuar që e kemi një njeri shqiptar që është për herë të parë në qeverisjen europiane të futbollit. Dhe shpresoj që ky rezultat i tij, me punën e tij dhe shkuarja deri atje, do të thotë që sa është punëtor dhe sa ka punuar për futbollin edhe shqiptar edhe kosovar presidenti Duka. Prandaj, ne i bëjmë falënderim publik këtu presidentit Duka për gjithçka që na ka ndihmuar për futbollin e Kosovës sepse kam pasur fatin të jem protagonist i të gjitha rasteve bashkarisht. Këtë ditë do ta shfrytëzojmë edhe për biseda, projekte tona siç e përmendi edhe presidenti Duka. Dhe po qe nevoja, ne kemi ardhur edhe për përkrahje të rastit të Superiores dhe shumë mirë që filloi Superiorja, por këtë rast e përkrahim në vendimet e tyre sepse te ne ka ndodhur që ne e kemi një ligj dhe sado, për të shkëmbyer përvojat dhe për t’iu thënë të gjithë atyre të cilët e bëjnë ligjin që mund ta bëjnë dhe futbollin të mos e marrin vetëm si lojë të futbollit por si një pjesë të rëndësishme të një shteti dhe botërore. Futbolli është kudo në botë sport primar por dhe me impakt shumë të madh edhe në popullatë dhe në tifozët dhe në të gjithë shtetin. Prandaj duhet ta trajtojmë futbollin si një segment jashtëzakonisht të mirë, qoftë ekonomik apo qoftë edhe shpirtëror të tifozëve dhe të popullit në të dyja pjesët. Sa i përket pjesës së ndeshjeve që ne i bëjmë, në të gjitha kategoritë, të ekipeve përfaqësuese edhe kjo, sigurisht që gjithmonë do të jetë një vëllazërore. Pavarësisht që ne rezultatet i kemi të ndara nëpër grupe, është mirë që i kemi kështu, por gjithsesi ne do të jemi si vëllai i vogël në shërbim, sa herë ne i duhemi ekipit kombëtar në të gjitha ndeshjet tona dhe gjithsesi me kapacitetin tonë edhe FSHF-së”, – tha numri një i FFK-së, i cili më tej foli edhe ëpr eksperiencën e Kosovës me ligjin për sponsorizimit dhe efektet që ka dhënë në futbollin kosovar.
“Ligji i sponsorizimit? Po, ka filluar të funksionojë, është i lehtë, i prekshëm dhe shumë i arsyeshëm. Sigurisht ne mund të bëjmë përvojat tona që kanë filluar te ne, jo vetëm në futboll, por sidomos aty, sepse në futboll ka më shumë njerëz që janë të interesuar të investojnë dhe t’i ruajnë ato investime të atyre investitorëve sepse kemi fat në Kosovë që janë ofruar shumë kompani të mëdha dhe shumë investitorë në ligat tona dhe është një ngritje ekonomike. Sigurisht që ngritja ekonomike do të që do na sjellë ngritjen cilësore. Ne me kapacitetet tona, që i kemi dhe ekonomike dhe me ekspertë të financave, po ashtu dhe ligjorë të këtij sistemi jemi të gatshëm me cilindo të flasim, jo vetëm të Federatës por edhe prej qeverisë edhe t’i shohin se si ka ecur procedura dhe si ecën procedura. Në Shqipëri keni gjithçka të avancuar. Ne jemi shkolluar në Shqipëri me licencat e trajnerëve dhe sigurisht e dini sa futbollistë dhe sa trajnerë shqiptarë janë në Kosovë të cilët e zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe është lehtë e shikueshme”, – tha në prononcimin e tij zoti Ademi.