Kategoria e Parë U-17 / KF Apolonia triumfon në finale, shpallet kampione! - FSHF

Kategoria e Parë U-17 / KF Apolonia triumfon në finale, shpallet kampione!

KF Apolonia është shpallur kampione e Kategorisë së Parë U-17, pasi triumfoi në finalen e kësaj grupmoshe, duke mundur me rezultatin 3-2 Shkëndijën B të Tiranës.
Takimi i zhvilluar këtë të dielë në Kompleksin “Internacional Tirana” ka dhuruar emocione të mëdha, teksa Shkëndija B e Tiranës barazoi përkohësisht shifrat në 2-2 gjatë pjesës së dytë. Mirëpo, të rinjtë fierakë kanë mundur të shënojnë golin e fitores e që u siguroi trofeun në minutën e 82-të më anë të Kurtit.
Vendimtar edhe Trifoni, i cili realizoi një dygolësh në pjesën e parë për Apoloninë, që pasi kishte fituar Grupin B pak javë më parë, u shpall edhe kampione e Kategorisë së Parë për këtë grupmoshë.
Në ceremoninë e zhvilluar në përfundim të sfidës ishte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, ai që i dorëzoi trofeun e kampionit djemve të KF Apolonisë.