HYSAJ E SADIKU: NJË MIQËSORE QË VLEN PËR TË GJITHË! - FSHF

HYSAJ E SADIKU: NJË MIQËSORE QË VLEN PËR TË GJITHË!

Pas dy futbollistëve të rinj të ekipit kombëtar që dhanë opinionet e tyre ditën e djeshme për pragndeshjen miqësore me Turqinë, radhën e kishin sot Elseid Hysaj dhe Armando Sadiku, dy lojtarë me peshë në formacionin kuqezi në të gjithë fazën eleminatore.

Për të gjithë këto ditët e grumbullimit, sulmuesi Sadiku për këtë ndeshje dhe për këtë fazë përgatitore deklaroi: ” Këto ditë i kanë shërbyer shumë ekipit, sepse kemi pasur mjaft kohë që të qëndrojmë bashkë me njëri tjetrin ta forcojmë edhe më shumë grupin tonë dhe t’i ndihmojmë dhe t’i japim mirëseardhjen atyre lojtarëve që kanë ardhur për herë të parë, që të ambientohen sa më shumë me ne. Ky grumbullim na vlen shumë për të ardhmen, gjithashtu edhe kjo miqësore me një ekip kaq të fortë sa Turqia. E vlerësojmë ndeshjen, jemi përgatitur shumë mirë. Ka qenë pozitive për trajnerin sepse na njeh më shumë. Pra grumbullimi dhe miqësorja bën vetëm mirë. Neve do ta vlerësojmë secili maksimalisht dhe do të shikojmë ku jemi, sa jemi rritur me njëri-tjetrin. Pra, t’i japim sinjale pozitive trajnerit. Ta forcojmë grupin tonë. Kjo miqësore është perfekte për secilin prej nesh ne, kemi pasur kohë të përgatitemi.  Mendoj se ne duhet të japim 100% dhe ta mbyllim këtë vit me sukses”,- deklaroi Sadiku. Ndërkohë po në një linjë edhe mbrojtësi Hysaj, që vlerëson këtë kohë për më shumë punë dhe njohje të trajnerit me ekipin: “Eshtë një ndeshje që kemi patur në kohë që ta përgatisim. Një ndeshje që në rast fitoreje do të shtonte akoma më shumë besimin dhe vlerësimin për skuadrën tonë. Jemi një grup shumë i mirë me djem fantastikë që kanë dëshirë për të dhënë maksimumin e tyre me këtë fanellë. Këtë miqësore e kemi konsideruar si një sfidë shumë të rëndësishme për kolaudimin. Do të japim më të mirën tonë kundër një skuadre që ka kualitete dhe agresivitet në fushë. Por, edhe ne kemi një skuadër shumë të lidhur dhe që kërkon të shkojë larg”,- citoi Hysaj. Skuadra vijon stërvitjet, dhe të shtunën pasdite do të ketë seancën e radhës. Ndërkohë që, të djelën në mëngjes do të dalin dy lojtarë të tjerë për të dhënë opinionet e tyre ndërsa nesër pasdite do të jetë konferenca për shtyp e trajnerit të ekipit kombëtar Panucci së bashku me kapitenin në stadiumin e Antalias, pak përpara nisjes së stërvitjes.