HIDHET SHORTI I LIGËS SË KOMBEVE, SHQIPËRIA PËRBALLË SKOCISË E IZRAELIT! - FSHF

HIDHET SHORTI I LIGËS SË KOMBEVE, SHQIPËRIA PËRBALLË SKOCISË E IZRAELIT!

Eshtë përcaktuar në Lozanë të Zvicrës edhe shorti për fazën e grupeve të kompeticionit më të ri në futbollin europian UEFA Nations League, apo Liga e Kombeve. Shqipëria pas hedhjes së shortit është pozicionuar në grupin e parë me tre skuadra të Ligës C, ku kundërshtarë të saj janë Izraeli dhe Skocia. Në Ligën C, ishin gjithsej 15 skuadra, prej të cilave u shortuan dhe u përcaktuan 3 grupe me 4 ekipe dhe një grup me tre, ku bën pjesë edhe ekipi ynë kombëtar.

Takimet e ndeshjeve në Grupe të Ligës së Kombeve do të nisin shtatorin e këtij viti dhe do të përfundojnë brenda vitit 2018. Kombëtarja do të luajë për herë të parë në ndeshje zyrtare me Skocinë, skuadër që pozicionohet në vendin e 37-të në renditjen botërore dhe që në historinë e saj ka marrë pjesë në tetë finale të Kupës së Botës, si dhe dy herë në Kampionatin Europian, por pa kaluar asnjëherë fazën e grupeve. Shqipëria do të luajë gjithashtu edhe përballë Izraelit, duke rikthyer duelin e kualifikueseve të Botërorit 2018.
Në këtë mënyrë në këtë start të kompeticionit të ri Shqipëria do të luajë 4 ndeshje ndërkombëtare, dy në transfertë, në Skoci e Izrael, si dhe ndeshjet në fushën tonë me po këta rivalë.

Prezent në shortin e hedhur sot në Lozanë, ishte Presidenti i FSHF-së, Armand Duka së bashku me trajnerin e ekipit kombëtar, Christian Panucci. Pas hedhjes së shortit, Presidenti Duka u shpreh: “Mund të them që ky format ka balanca sportive. Do dëshiroja të kishim një grup me katër përfaqësuese për të pasur ndonjë ndeshje më shumë në shtëpi. Skocia nuk më pëlqeu sepse është e fortë dhe është larg. Sportistët mund të lodhen. Me 2 kundërshtar është akoma më fortë. Asnjë nuk ka 3 pikësha të sigurtë, çdo gjë mund të ndodhi. Uroj që të jemi në të parët. Rastësisht ndeshja e Norvegjisë do ti shërbejë trajnerit për kundërshtarët që ka. Norvegjia dhe Skocia janë në të njëjtin nivel. Në qershor do të zhvillojmë edhe 2 ndeshje të tjera. Duam të arrijmë diçka nga ky kompeticion. Uroj që përsëri të jemi pjesë e Europianit”,- theksoi Presidenti Duka.

Ndërsa, trajneri i ekipit kombëtar Panuçi u shpreh: “Është një grup shumë i ekuilibruar. Do të shohim se si do të shkojë dhe do të synojmë vendin e parë. Nuk do të ndryshoj asgjë. Do të shkojmë përpara me shumë kurajo. Do të zhvillojmë 3 miqësore, për tu përgatitur maksimalisht. Është një grup që ka pak diferenca, ne do të provojmë me të gjitha mënyrat. Është e rëndësishme që të jemi të saktë, në të katërta ndeshjet”.